Protagonistët e fitores së thellë ndaj San Marinos, që i ka dhënë Shqipërisë vendin e dytë në grup, nuk e kanë fshehur aspak entuziazmin dhe besimin për një kualifikim të mundshëm për në Botërorin e Katarit. Qazim Laçi, Rei Manaj, Elseid Hysaj dhe Armando Broja, të lumtur për golat me fanellën kuqezi, kanë folur plot besim për ndeshjet e ardhshme.
“Kemi vërtet shanse të mëdha për të mbajtur vendin e dytë”, – theksoi Manaj. “Është bukur të fitosh, të shënosh dhe të bësh shokët të shënojnë“, – tha Broja, autor i 2 golave dhe 2 asisteve në dy ndeshjet e fundit. Një eufori e momentit, sepse të gjithë e dinë që asgjë nuk ka përfunduar dhe se vendosin ndeshjet e tjera, por ajo që dallohet lehtë ka të bëjë me rritjen e besimit në radhët e kuqezinjve.

Edhe trajneri Edi Reja u shpreh i kënaqur me fitoren dhe vendin e dytë. “Në pjesën e parë luajtëm mirë, por nuk ishim konkretë, ndërsa në pjesën e dytë kemi luajtur ndoshta më pak mirë, por ishim konkretë. Futëm Brojën dhe Roshin në të dytën, që janë më të fortë fizikisht. Ata u lodhën, ne gjetëm golin e dytë dhe gjërat u bënë më të thjeshta.
Nuk më pëlqeu që dikush pasonte me thembër, duke vonuar manovrën. Dua që për 90 minuta të kemi ritëm të lartë loje, si në pjesën e parë. Kemi marrë 6 pikët që kishim parashikuar. Kemi thënë se nëse duhej të jemi konkurrues, duhej të fitonim këto ndeshje. Mendonim për pikë edhe në Poloni, por nuk patëm fat. Ekipi po luan mirë, djemtë besojnë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund. Të rinjtë janë përgjigjur mirë, është Bajrami që na jep cilësi në mesfushë, Broja që po pret gati dhe është lojtar i rëndësishëm. Në skuadër ka harmoni, lojtarët argëtohen në stërvitje dhe në ndeshje”, – tha trajneri Reja sa i takon ndeshjes.

Pastaj ai foli për vendin e dytë: “Po fitonim 5-0 po më thanë në stol se po fitonte Anglia, ishim të lumtur. Pastaj erdhi ai gol në shtesë, por nëse duam ta vazhdojmë ëndrrën, duhet të mundim Poloninë këtu. Tani jem të dytët dhe ky është rezultat i rëndësishëm. Duhet të mbajmë këtë pozicion dhe nëse luajmë me vëmendje, kjo skuadër mund të bëjë mirë kudo”.
Trajneri italian në fund shprehu kënaqësinë për veprimin altruist të Brojës, që i dhuroi golin Uzunit. “Broja ishte shumë i aftë, u tregua altruist, nuk është se vetëm kërkon golin. Kjo më kënaq, sepse ka treguar përulësi, di çfarë do të thotë një shok, të jesh bashkë me të. Po ashtu edhe Uzuni, më pëlqen kjo lloj sjelljeje joegoiste. Kjo është diçka e mirë, kur shoku është në pozicion më të mire, duhet të pasosh. Ishte ndër gjërat më të mira të ndeshjes”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




