Lojtarët e Kombëtares që luajnë në Serinë A kanë bërë paraqitje të mira fundjavën që lamë pas. Përveç Marash Kumbullës, që mori vlerësime maksimale nga trajneri Mourinjo dhe shtypi italian për paraqitjen ndaj Kaljarit, edhe për kuqezinjtë e tjerë gjërat kanë shkuar mirë.
Empoli, që barazoi 1-1 me Venecian në transfertë, në fundin e ndeshjes kishte tre futbollistë shqiptarë në fushë. Nedim Bajrami dhe Adrian Ismajli ishin titullarë, kurse 19-vjeçari Kristjan Asllani u fut në minutën e 78-të. Mesfushori vazhdon të marrë minuta nga trajneri Andreacoli dhe këto aktivizime si zëvendësues sigurisht që do ta ndihmojnë për të fituar më shumë përvojë.

Bajrami këtë herë luajti në dyshen e sulmit dhe jo prapa saj. Fantazisti i Kombëtares bëri një paraqitje të mirë, duke qenë stabël në lojën e tij. Prej disa javësh ai ka besimin e trajnerit për formacionin, edhe pse zërat e merkatos dimërore sikur e kanë bezdisur pak. Bajrami dhe Ismajli janë vlerësuar me notën 6 për ndeshjen me Venecian.
Të njëjtën notë ka marrë edhe Berat Gjimshiti, titullar në sfidën me Interin, që përfundoi në barazim, 0-0. Mbrojtësi kuqezi mbetet një titullar i rëndësishëm për Atalantën. Sot në mbrëmje pritet të zbresë në fushë edhe Rei Manajn, në ndeshjen që Specia e tij do të zhvillojë me Milanin në “San Siro”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




