Migjen Basha ka vendosur t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Ish-mesfushori i Kombëtares, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur tërheqjen në moshën 34-vjeçare, pas një karriere të pasur. Basha është një nga lojtarët që shkruan historinë me Shqipërinë me pjesëmarrjen në Europianin e Francës në 2016-ën.
Pasi luajti me të gjitha skuadrat e moshave të Zvicrës, deri tek U-21-shi, Basha iu bashkua Kombëtares shqiptare në vitin 2013. Ai numëron rreth 33 ndeshje me fanellën kuqezi, ndërkohë që ka shënuar edhe 3 gola. Ish-mesfushori është dalluar për profesionalizmin e tij, ka qenë një “lojtar trajneri”, pasi ka pasur aftësinë për të vendosur ekuilibrin në fushë, veçanërisht në momente kur skuadra ka hasur vështirësi.
Gjatë karrierës së tij, Basha ka luajtur për disa skuadra të njohura në Itali, si Atalanta, Torino dhe Bari. Në Zvicër është aktivizuar me Lucernën, ndërkohë që ka provuar edhe kampionatin grek me fanellën e Arisit të Selanikut, si dhe futbollin australian, ku luajti me Melburnin.
“Ka ardhur koha për ta kthyer faqen… Unë arrita të jetoj ëndrrën time të fëmijërisë, falë pasionit që më shoqëroi gjatë gjithë këtij udhëtimi që filloi në Zvicër dhe më çoi në Itali, Greqi, Australi dhe përsëri në atë katror. Gjatë rrugës, me shumë dashuri dhe krenari mbrojta edhe ngjyrat e vendit tim. Dua të falënderoj këtu të gjithë ata njerëz që më mirëpritën me krahë hapur dhe më ndihmuan të ndihem rehat.
Inkurajimi nga familja ime, miqtë, mbështetësit, shokët e skuadrës, anëtarët e stafit dhe madje edhe kundërshtarët! Të gjithë ata disi më dhanë forcën për të luftuar në çdo top. Faleminderit të gjithëve për atë që më keni dhënë gjatë rrugës. Është koha për t’i thënë lamtumirë karrierës sime”, – ka shkruar Basha në profilin e tij në Instagram.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




