Futboll

Kupa përcakton çiftet ¼ finaliste, short i ekuilibruar

Federata Shqiptare e Futbollit hodhi në “Shtëpinë e Futbollit” shortin për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2024/2025. Tetë skuadrat më të mira ishin ndarë në dy vazo, Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu në të parën. Ndërsa Laçi, Dinamo City, Bylis dhe AF Elbasani në të dytën, ndarje që mund të rezervonte ndeshje derbi, sfida klasike apo dhe një rrrugë të vështirë për dy herë fituesit e fundit të kompetiçionit.

Egnatia pas fitores ndaj Kukësit në Finalen e edicionin të kaluar

Mirëpo asnjëra nga këto nuk ndodhi dhe rezultati nxorri çifte të ekuilibruara për ndeshjet që do të zhvillohen në ¼ finale. Egnatia ka një short të lehtë për atë çka po kalon Bylis që me shumë gjasë do të fokusohet te mbijetesa në Kategorinë Superiore, duke mos harxhuar energji të tepërta në Kupën e Shqipërisë. Në letër e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Skënderbeun që në Kupë do të përballet me Dinamon e Ilir Dajës (ish trainer i korçarëve).

Marjus Sulejmani në shortin e 1/4 finaleve për edicionin 2024/25

Laçi do të presë Partizanin në shtëpi në ndeshjen e parë, dhe vendasit më të qetë në Superiore, do të tentojnë të marrin diçka më shumë nga Kupa. AF Elbasani është një tjetër skuadër që mund të rezultojë problematike për Vllazninë. Kjo jo për cilësitë e kuqebluve, por për mungesën e përforcimeve në merkaton e dimrit që Vllaznia e ka të bllokuar. Ndeshjet e para do të luhen në 5 Shkurt, ndërsa ato të kthimit në 26 Shkurt. Skuadrat e vazos së parë do të luajnë fillimisht në transfertë dhe kthimin në shtëpi sipas shortit:Bylis – Egnatia
AF Elbasani – Vllaznia
Laçi – Partizani
Dinamo City – Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë