Futboll

Kupa në kërkim të ½ finalistëve

Nuk ka pushim për skuadrat në vend, të paktën ato që janë ende në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë në sezonin 2024-2025. ¼ finalistet kthehen në fushë sot dhe nesër për një vend në raundin tjetër. Dy ndeshjet e sotme nuk prodhuan asnjë gol në sfidat e para dhe kjo e bën gjithçka të hapur pasditen e të martës. Duke filluar nga ora 17:00, në Shkodër dhe në Tiranë, Vllaznia do të luajë ndaj AF Elbasanit dhe Partizani pret Laçin. Në “Loro Boriçi” do të zhvillohet përballja e dytë në 4 ditë pas barazimit në Superiore.

Të premten e shkuar gjithçka u vendos në pjesën e parë, por sot është një realitet tjetër dhe kuqeblutë vështirë se mund të jenë aq “miqësorë” sa në kampionat.Ndërsa në “Arenën e Demave” vendasit sërish me Abilaliajn në stol do të provojnë të lënë pas zhgënjimet e këtij viti në kampionat ku gjenden 8 pikë pas kreut. Të kuqtë vijnë pas 3 barazimesh e 2 humbjesh rradhazi ndërsa përballë është Laçi që pas 3 fitoresh e 1 barazimi u ndal në Superiore nga Dinamo City. Kupa është një objektiv për të dyja skuadrat dhe pasditja e sotme në kryeqytet do të jetë më shumë se e luftuar nga vendas dhe miq.

Skuadrat që zhbllokuan sfidat në 90’ e para do të zbresin nesër në fushë për një 1 vend mes 4 më të mirëve. Egnatia nuk duket se do të ketë probleme pas fitores 3-1 në Ballsh pasi edhe miqtë duken më shumë të orientuar nga mbijetesa në Kategorinë Superiore. E tëra për t’u luajtur dhe mos u humbur është sfida në Korçë ku vendasit fituan me dy gola 90 minuta e para, por blutë e Dajës nuk janë dorëzuar ende. Kupa është një objektiv madhor dhe korçarët duhet të tregojnë se nuk janë vërtetë skuadra e fundit në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë