Futboll

Kupa Libertadores për Flamengon, vendos goli i rekordmenit Gabigol

Gazeta Si – Gabriel Barbosa është mbreti i Libertadores. Flamengo është kthyer në majë të Amerikës së Jugut dhe firmën e ka vendosur sërish ish-sulmuesi i Interit. Fitorja 1-0 ndaj Atletiko Paranaense i ka dhënë Flamengos kupën e tretë në histori.

Për të tretin vit radhazi, finalja e Libertadores është diskutuar mes dy skuadrave braziliane. Nga një anë Flamengo, me shumë emra të njohur edhe në Europë, si David Luiz, Filipe Luis, Gabigol dhe Pedro, kurse në anën tjetër ‘Furacao’, të drejtuar nga Felipe Skolari.

Pas suskesit në gjysmëfinale ndaj Palmeirasit, Atletiko Paranaense ëndërronte të fitonte kupën e parë në histori. I shkoi shumë afër në 2005-ën, e udhëhequr nga baby-Fernandinho, që në verë u kthye në shtëpi pas 17 sezonesh mes Shakhtarit dhe Sitit.

Vëmendja ishte e gjitha te Vitor Roque, qendërsulmuesi i datëlindjes 2005, ylli me një klauzolë 300 milionë euro, që tani në shënjstrën e të mëdhenjve të Europës.

Në ‘Estadio Monumental’, Flamengo dhe Atletiko luajtën me karta të hapura. Djemtë e Skolarit e nisën mirë, por humbën dy raste me Vitinjo e Santana. Kthesa e ndeshjes ndodhi në minutën e 43-të, kur Pedro Henrike, mbrojtësi i Atletikos, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Arbitri dha 5 minuta shtesë për pjesën e parë dhe në të 49-ën Gabigol shënoi golin e fitores. Rekord ky për sulmuesin brazilian, që për herë të katërt shënon në një finale të Kupës Libertadores. Ai është ngjitur në kuotën e 29 golave në këtë kompeticion. Festa e gjitha për Flamengon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë