Futboll

Kupa Libertadores mbetet në Brazil, Fluminense mund Bokën në finalen e ‘Marakana’

Gazeta Si – Për të pestin vit radhazi është një skuadër braziliane që fiton Kupën Libertadores. Këtë herë është Fluminense e Fernando Diniz, - trajnerit të përkohshëm të Brazilit, - e udhëhequr në fushë nga Felipe Melo dhe Marselo.

‘Marakana’ ka shpërthyer në festë pas fitores 2-1 ndaj Boka Zhuniors në kohën shtesë. Golat e ekipit brazilian mbajnë firmën e Kano (36') dhe Xhon Kenedi (99'). Për argjentinasit shënoi Advinkula në minutën e 72-të. Një tjetër finale e humbur nga ‘xeneizes’.

Makineria perfekte e Fernando Diniz ka pushtuar Amerikën e Jugut, Fluminense ka bërë të sajën Kupën Livertadores në një finale të dominuar në pjesën më të madhe të ndeshjes, që shkoi me shtesë. I emocionuar Felipe Melo, në lot para ndeshjes, teksa dëgjonte himnin kombëtar.

Në fillim kishte vetëm një skuadër në fushë dhe ajo nuk ishte Boka Zhuniors, që kishte vetëm 16% të mbajtjes së topit. Kavani nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshëm në këtë ndeshje. German Kano, argjentinasi lider i brazilianëve në këtë Libertadores, me 13 gola, zhbllokoi shifrat me një gjuajtje të bukur. Argjentinasit nuk mundën të reagonin para pushimit.

Felipe Melo la fushën pas 51 minutash për një problem fizik. Fluminense iu afrua golit të dytë, por u ndëshkua nga mbrojtësi i djathtë i Bokës, Advinkula. Trajneri Diniz më pas hodhi në fushë Xhon Kenedin, që në shtesën e parë realizoi golin e fitores. Nga gëzimi ai festoi me publikun e ‘Marakana’, duke marrë të verdhin e dytë.

Boka u zgjua për pak minuta, por edhe ajo mbeti me 10 lojtarë, pas një çmendurie të Fabra, që goditi Ninon. Në fund Fluminense goditi shtyllën në një kundërsulm me Guga. Feston skuadra braziliane, që 15 vjet më parë kishte humbur një finale në ‘Marakana’ ndaj Ldu di Quito. Humbja e 3-të radhazi në aktin e fundit për Bokën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë