Futboll

Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia gjunjëzon Partizanin mes shiut, edhe Teuta pranë gjysmëfinales

Gazeta Si – Mes shiut të dendur, Vllaznia mposhti 3-1 Partizanin në stadiumin “Loro Boriçi”, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimin në gjysmëfinale. Me këtë rezultat shkodranët shkojnë më të qetë në ndeshjen e kthimit.

Njeriu i ndeshjes ishte sulmuesi brazilian Kaina, autor i 2 golave. Ai mposhti Hoxhën shumë shpejt, duke i rrëmbyer topin nga duart pa faull sipas arbitrit. Mehdi Çoba shënoi golin e dytë për Vllazninë më pas.

Vllaznia feston me tifozet nje nga golat ndaj Partizanit. Gazeta Si, 1 mars 2023

Partizani do të shkurtonte diferencën në fundin e pjesës së parë me Matondo, por vetëm kaq për të kuqtë. Kaina shënoi golin e tretë nga afër portës dhe pastaj skuadra e Josës e administroi mirë rezultatin deri në fund. Vllaznia dhe Partizani janë rivalë edhe për titullin kampion në Superiore.

Një fitore të pastër arriti Teuta ndaj Kukësit, 2-0. Sherif Kallaku shënoi të dy golat për durrsakët, të parin me një penallti të kontestuar nga skuadra veriore dhe të dytin me një ekzekutim mjeshtëror të një goditjeje dënimi në pozicion ballor. Teuta, pas kësaj fitoreje, është më afër kalimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë