Futboll

Kupa e Shqipërisë, trofeu i rekordeve. Nga fitoret e thella, tek 49 penalltitë të një ndeshje që u luajt në dy ditë

Nga Gazeta Si- Këtë mesjavë Kupa e Shqipërisë luajti 16 ndeshjet e fazës së parë, aty ku u shënuan gola pafund dhe u vendos një rekord historik. Në Vlorë, Flamurtari i Andrea Agostinelit fitoi 15-1 kundër Devollit, çka solli thyerjen e rekordit të Partizanit pas 73 vitesh dhe vendosjen e një të riu. Fitorja e vlonjatëve është më e thella në historinë e futbollit shqiptar, duke kaluar një rekord që mbahej prej janarit të vitit 1951. Më 31 janar të atij viti, Partizani fitoi 14-0 me Punën e Beratit në një ndeshje për kampionatin, me Refik Resmjan që shënoi shtatë gola. Ndërkohë në Vlorë, për ndeshjen e Kupës kundër Devollit ishte Vasil Shkurtaj që shënoi pesë gola, të gjithë në pjesën e dytë.

Por në të vërtetë trofeu i dytë, për nga rëndësia në futbollin shqiptar, Kupa e Shqipërisë ka prodhuar shpesh rekorde dhe çudira që datojnë që nga starti i këtij aktiviteti.

Kupa e Shqipërisë lindi në vitin 1939 me një turne i cili, në bazë të renditjes së kampionatit të vitit 1937, i ndau skuadrat në dy divizione dhe gjashtë grupe, por që u fitua nga vendi i parë në grupin e parë, SK Tirana. Është turneu i fundit i futbollit i luajtur para Luftës së Dytë Botërore, por pas saj, me regjimin e vendosur në Shqipëri, kjo kupë nuk u njoh nga federata. Në rifillimin e aktivitetit, fillimi i epokës komuniste të vendit, na u desh të prisnim vitin 1948 për të parë lindjen e "Kupës së Republikës", e cila përfundoi në gjirin e Partizanit si në atë vit ashtu edhe në 1949. Në të dyja rastet fitorja në finale ishte ndaj të njëjtit kundërshtar, 17 Nëntori në rastin e parë dhe Tirana në të dytin.

Në vitin 1950 risi të tjera “politike”: Dinamo, si një skuadër e fuqishme e Ministrisë së Brendshme, doli në skenën e futbollit dhe rrëzoi Partizanin që në daljen e saj të parë, jo vetëm në kampionat. Skuadra e sapoformuar nga kryeqyteti arriti një sekuencë fitoresh të pa përsëritur, pesë radhazi.

Pas të parës, Partizani humbi edhe finalen e vitit 1951, duke e ringritur atë pasi mundi Tiranën në vitin 1952 dhe më pas u largua vetë me shije të hidhur si në 1953, ashtu edhe në 1954. Për dy vite radhazi kupa nuk u luajt dhe u rikthye me edicionin e vitit 1957 ku Partizani fitoi trofeun e në kurriz të Puna e Durrësit. Skuadra e ushtrisë përsëritet në vitin 1958 duke mposhtur thellë (4-0) një tjetër finalist të ri, Skënderbeun e Korçës.

Një tjetër vit ndërprerje dhe Dinamo u rikthye tek trofeu, duke fituar finalen e parë me dy takime vajtje-ardhje në vitin 1960 me të njëjtin rezultat 1-0 ndaj Flamurtarit të Vlorës. Por edicioni i vitit 1961 e pa Partizanin të ngrinte sërish kupën në qiell, këtë herë ishte Besa e Kavajës që u mund. Për katër edicione radhazi skuadrat nga pjesa tjetër e Shqipërisë u përpoqën më kot të rrëzonin skuadrat e kryeqytetit, nuk kishte asgjë për të bërë. Në vitin 1962 Federata vendosi të përafronte sezonin e futbollit shqiptar me atë të pjesës më të madhe të Evropës dhe kupa rifilloi me turneun 62/63, i pari që u vendos prej penalltive. SK Tirana, humbi në shtëpi nga Besa e Kavajës (2-3), fitoi 1-0 si skuadër udhëtuese dhe fitoi trofeun me goditje nga pika e bardhë.

Në këtë edicion luhet një ndeshje rekord, ndeshja e dytë e fazës së 16-të mes Korabit të Peshkopisë dhe Apolonisë së Fierit: përfundimi 2-1, e kundërta e ndeshjes së parë, ndeshja shkon në penallti të cilat zgjasin aq shumë sa shkaktojnë ndërprerjen e ndeshjes për shkak të errësirës dhe vazhdimi për ditën e nesërme, ku Apolonia fitoi 25-24 me gjuajtje penalltish. Me kupën e radhës (63/64) kthehemi në finalen me një takim të vetëm dhe për të gjashtën herë radhazi një skuadër jo e kryeqytetit sfidon një nga ekipet e Tiranës. Partizani arrin lehtë ta mposhtë Tomorin e Beratit 3-0 dhe fiton atë.

Në kupën 64/65, për herë të parë në finale nuk ka një skuadër nga Tirana. Vllaznia e Shkodrës mposht me vështirësi Skënderbeun e Korçës dhe është skuadra e parë jo kryeqytetase që fut emrin e saj në listën e nderit të kompeticionit. Dhe mbajtësit janë protagonistë edhe në finalen e kupës 65/66, por e humbasin nga Partizani në fund të një ndeshjeje emocionuese. Kryeson dy herë, Vllaznia por barazohet dhe kalon në disavantazh me dy gola. Arrin ta çojë në një gol diferencën duke shënuar për shifrat 4-3, por vetëm kaq.

Pas trazirave politike dhe sociale të vitit 1991 dhe ndryshimeve të shumta të emrave të skuadrave shqiptare, kupa e parë e epokës së re (91/92) paraqet një finale të paprecedentë në të cilën Sport Klub Elbasani (ish Labinoti) mposht Besën e Kavajës, e cila themelon rekordin e pakrahasueshëm negativ të gjashtë finaleve të humbura nga gjashtë të luajtura, një mallkim i vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë