Futboll

Kupa e Shqipërisë/ Eliminohet Kukësi, avancon Flamurtari i Kategorisë së Dytë

Eliminimi i Kukësit nga Egnatia duket si surpriza e madhe e Kupës së Shqipërisë, ku rrogozhinasit, për herë të parë në historinë e tyre, e shohin veten në çerekfinale të këtij kompeticioni. Kështu duhej të ishte logjikisht, por në fakt, supriza më e madhe është… Flamurtari i lavdishëm.

Kualifikimi i vlonjatëve ndaj Kastriotit do te ishte krejtësisht normal, nëse ata do të ishin pjesë e elitës, ku realisht u takon të jenë, por sot e regjistrojnë këtë sukses si një skuadër e Kategorisë së Dytë. Dhe në analet e historisë së Kupës së Shqipërisë, vështirë se gjen një skuadër të Kategorisë së Dytë (niveli i tretë i futbollit shqiptar aktualisht) që të ketë shkuar deri në çerekfinale.

Nga ndeshja Partizani-Beselidhja, 2-0. Gazeta Si, 17 nentor 2021

Flamurtari, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, sot fitoi 2-4 ndaj krutanëve dhe vazhdon garën. Kukësi fitoi 1-0 ndaj Egnatias, por kishte humbur 3-1 në ndeshjen e parë. Asnjë problem për skuadrat e tjera të mëdha, ku mund të veçohet goleada 6-1 e Vllaznisë ndaj Pogradecit. sfida mes Skënderbeut dhe Bylisi shkoi me penallti, pasi të dyja ndeshjet përfunduan në barazim, 1-1 në Ballsh dhe 2-2 sot në Korçë. Nga pika e bardhe fati u buzëqeshi vendësve.

Shtatë skuadrat e kualifikuara për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë janë Flamurtari, Laçi, Teuta, Partizani, Vllaznia, Egnatia dhe Skenderbeu, kurse skuadra e tetë do të mësohet nesër, pas derbit Tirana-Dinamo.

Kupa e Shqipërisë
Sot
Kastrioti-FLAMURTARI 2-4 (0-0)
Kukësi-EGNATIA 1-0 (1-3)
LAÇI-Tomori 1-1 (1-0)
PARTIZANI-Besëlidhja 2-0 (1-0)
TEUTA-Korabi 2-0 (1-0)
VLLAZNIA-Pogradeci 6-1 (2-0)
SKËNDERBEU-Bylis 2-2 (4-3 pas penalltive) (1-1)
Të enjten
Tirana-Dinamo (0-2)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë