Shtatë gola në “Elbasan Arena” dhe 2 të tjerë në “Arenën e Demave” iu dhanë të drejtë bluve kryeqytetas dhe të gjelbërve nga Rrogozhina për të diskutuar Finalen (1 Maj 2025) e edicionit të 73 në Kupën e Shqipërisë. Dinamo arriti fitoren e parë pas 5 ndeshjeve (3 humbje e 2 barazime) në sfidën më të rëndësishme të këtij muaji. Për të fundit herë kishte fituar në 27 Mars, derbin ndaj Partizanit, ndërsa ½ finalen e parë në Shkodër, barazoi me shifra të bardha. Në Elbasan, të besuarit e Dajës realizuan një poker (brenda 59’) me dy gola nga Itodo dhe Zabërgja. Mirëpo atëherë kur u mendua gjithçka e mbyllur, shfaqet Vllaznia. Gruda, Balaj dhe Kahrimanovic rihapën sfidën në 14’. 5 të mbeturat nga koha e rregullt dhe 6 të shtesës nuk mjaftuan për kuqeblutë dhe blutë rikthehen në Finale pas 14 viteve mungesë.

Atje do të luajë përballë Egnatias që kthehet për të 3 sezon në Finale (ka fituar në 2023 dhe 2024). Fituesit në fuqi zbritën në “Arenën e Demave” pas humbjes në sfidën e parë që e vendosi Keko nga pika e bardhë. Deri në 75’ Partizani ishte në Finale por nuk ja doli të mbërrinte vërtetë. 14’ nga fundi Xhemajli gjeti avantazhin e miqve duke barazuar rezultatin e përgjithshëm dhe çuar sfidën në kohën shtesë. Atje ku përsëri Egnatia u shfaq më e saktë përpara portës dhe 4’ pas rifillimit të lojës, Guindo i shpëton mbrojtjes vendase në zonën e vogël të rreptësisë për të gjetur golin e 2. Partizani ishte i pafuqishëm për të barazuar dhe mbërritur tek penalltitë. Pas Tiranës (në 2023) dhe Kukësit (2024) është rradha e Dinamo City-t të provojë të fitojë ndaj Egnatias në Finalen e Kupës së Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.