Futboll

Presidentët e 4 Federatave vizitojnë shtëpitë e rindërtuara nga komuniteti i futbollit

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka vizituar vendin tonë bashkë me presidentët e Federatave të Kosovës, Agim Ademi dhe Maqedonisë së Veirut, Muamed Sejdini. Të gjithë kanë qenë sot në vendin tonë për të parë ecurinë e punimeve të shtëpive që po rindërtohen me fondet e siguruara nga familja e futbollit pas tërmetit që goditi në nëntorin 2019, , rindërtim nga themelet me fondet e federatave dhe të dashamirësve të futbollit.

“Ky ka qenë një gjest simbolik i futbollit shqiptar dhe atij evropian për të ndihmuar dhe për të qenë pranë të dëmtuarve nga tërmeti. Ka qenë për të treguar solidaritetin tonë, uroj ta gëzoni shtëpinë dhe të keni një jetë sa më të mirë“, deklaroi Duka

Ndërkohë, Gravina pranoi se mund të bëhej më shumë për futbollistët e rinj shqiptarë që aktivizohen me skuadrat italiane, pasi aktualisht shumë prej tyre vuanin probleme me dokumentacionin.

“Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj. Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat. Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit. Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut”.

“Miqësore Shqipëri-Itali? Do të kisha shumë dëshirë të bëhej, ne kemi dy ndeshje mes ekipeve kombëtare të moshës U-19 në muajin gusht. Për fat të keq kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare na impenjon që të dyja vendet në garat zyrtare. UEFA i ka organizuar tashmë kampionatet zyrtare, por po përpiqemi të përdorim kompeticionet e moshave për të gjetur një mundësi për t’u ndeshur në fushë”, është shprehur Gravina.

Përsa i përket kërkesës zyrtare pranë ministrisë së Shëndetësisë për të hapur stadiumin “Air Albania” në kapacitetin 30% për ndeshjen me Anglinë, Presidenti i Federatës, Armand Duka, ka veçuar se impianti i kryeqytetit krijon mundësinë për zbatimin e një protokolli strikt, në mënyrë që tifozët të rikthehen pas më shumë se një viti në shkallët e stadiumit.

“Stadiumi ‘Air Albania’ i plotëson të gjitha kushtet për të respektuar protokollin dhe për të mos pasur rrezik apo ekspozim ndaj pandemisë. Kjo tani i mbetet qeverisë, Komitetit Teknik apo Kryeministrit që të na e miratojë apo jo. Uroj shumë që ta miratojnë këtë kërkesë. Kemi shumë nevojë që të kthehemi në jetën normale, kemi nevojë sportivisht të kemi spektatorët, por realisht një ndeshje kundër Anglisë, nuk ndodh shumë shpesh për Shqipërinë. Kështu që të mundohemi maksimalisht që ta shfrytëzojmë këtë rast për t’i kënaqur spektatorët tanë me aq sa mundemi dhe t’i bëjmë ata që të kthehen në jetën normale,” – tha Duka.

Në fund, presidenti Duka u shpreh se ende nuk ka marrë mbështetje nga qeveria për projektin “100 fushat” dhe se do të vijojë ta kërkojë, në të mirë të futbollit shqiptar: “Akoma asgjë nga 100 fushat me qeverinë, por tani jemi përpara një fushate elektorale, nuk kemi pse ta ngacmojmë qeverinë. Pas fushate, me ata që do të jenë në pushtet, patjetër që do t’i rikthehemi dhe do të kërkojmë sa më shumë fusha. Çdo gjë që ne kemi kërkuar, nuk do pushojmë së kërkuari për të mirën e futbollit, pavarësisht nga ngjyrat apo simbolet politike”- përfundoi Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë