Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti ishin dy kuqezinjtë që luajtën mbrëmjen e sotme në Ligën e Europës dhe në Ligën e Konferencës me klubet e tyre. Që të dy dolën fitimtarë në fund, duke hedhur një hap drejt kualifikimit për në turin tjetër.
Kumbulla ishte titullar në formacionin e Romës në transfertën holandeze me Viteshen, ku Roma fitoi me rezultatin 0-1, falë një goli të Serxhio Oliveirës. Mbrojtësi kuqezi qëndroi 90 minuta në fushë dhe u vlerësua me notën 6 për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje.
Fitoi 1-0 në Ligën e Konferencës edhe PAOK-u i Enea Mihajt, por mbrojtësi ynë qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes me belgët e Gent.

Titullar, si gjithmonë, ishte edhe Berat Gjimshiti. Atalanta e tij fitoi 3-2 në fushën e saj ndaj Bajer Leverkusenit, me dy gola të Muriel dhe një të Malinovskit. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u zëvendësua në pjesën e dytë me Polominon nga trajneri Gasperini. Edhe Gjimshiti mori notën 6.
Armando Broja ndërkohë luajti ndeshjen e radhës në kampionat, ndaj Njukasëllit, ku Southemptoni u mund 1-2. Ishte një tjetër ndeshje “Jo” për sulmuesin kuqezi, ashtu si ajo ndaj Aston Vilës pak ditë më parë. Broja pati dy mundësi të mira për të shënuar, por nuk ia doli edhe për mungesë fati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




