Gazeta Si – Kultura, tradita, gjuha e mbi të gjitha muzika arbëreshe do të bëhen kryetemë në Teatrin Metropol.
Edicioni i 4-t i Festivalit MetroSound vjen nën titullin “Jehonë arbëreshe” dhe vë në qendër të tij kulturën arbëreshe.
Drejtori artistik, pianisti dhe kompozitori Robert Bisha, i cili prej vitesh jeton në Itali thotë për Gazetën “Si”, se duke nisur nga 10 marsi publiku kryeqytetas ka mundësi të njihet më shumë me kulturën arbëreshe, pasi përgjatë 6 netëve do t’i bëhet homazh kësaj kulture me rrënjë shqiptare.
“Këtë vit dëshira është t’i bëhet një homazh kësaj mikro apo makro kulture, me themele e rrënjë shqiptare, pra kulturës arbërore”, shprehet Bisha për Gazetën “Si”, ndërsa shton se e pranoi ftesën e drejtoreshës Armela Demaj për këtë festival ku ndërthuret tradicionalja dhe bashkëkohorja, duke qenë se prej shumë vitesh përpos kërkimeve bashkëkohore si në interpretim apo improvizim, ai bën edhe hulumtime etnomuzikologjike.
Gjatë mbrëmjes së parë, dialogu i kompozitorit Bisha me etnomuzikologun Nicola Scaldaferri, e të tjerë studiues pritet të hedhë dritë mbi kërkimet rreth muzikës arbëreshe dhe elementëve më përfaqësuese të saj.
Në këtë festival nuk do të mungojë as polifonia. Ditën e dytë do të ngjitet në skenë kori polifonik i vajzave arbëreshe, “Lule Sheshi” ku pesë vajza të reja do të këndojnë polifoninë e gjyshërve të tyre, duke sjellë më afër botën arbëreshe.
“Ky kor është shumë interesant, pasi janë vajza të reja shumë të apasionuara pas polifonisë arbëreshe. Dhe është për t’u vlerësuar që vajzat adoleshente po çojnë përpara traditën e gjysheve të tyre”, shprehet Bisha për Gazetën “Si”.

Ndërsa veçon polifoninë tradicionale, si shumë guximtare, ai thotë se kjo muzikë është ende nën ndikimin bizantin, që ka ndikuar gjithë jugun e Italisë. Sipas tij, ditët e sotme rinia po shmanget nga tradita.
“Në ditët e sotme muzika arbëreshe nuk ka shumë ndikim, pasi vetë arbëreshët po pësojnë emigrimin (jo vetëm imigrimin; ka një diferencë mes emigrimit dhe imigrimit) dhe rinia mbase nuk po përqendrohet te tradita, por te serenatat dhe këngët më të lehta”.
Duke vënë në pah rëndësinë e kulturës arbëreshe, Bisha thotë se duhet ta kthejmë më shpesh kokën drejt kësaj kulture.
“Unë shoh edhe të huaj që po luajnë muzikën arbëreshe, ndërkohë që ne në Shqipëri nuk po preokupohemi aq sa duhet. Duhet të mburremi me këtë kulturë, madje mendoj që në shkollat tona duhet të futet arbërishtja. Kultura tradicionale arbëreshe është tejet e rëndësishme për ne, por siç e thonë edhe antropologët, kultura arbëreshe ka ndikuar edhe në hapjen e universiteteve më të rëndësishme në Jugun e Italisë. Ndërsa shumë poetë kanë ndikuar edhe në vendet ku kanë shkuar me kulturën e tyre arbëreshe”, vijon kompozitori.
Ndërkohë, nata e fundit, 18 marsi, është mbrëmja e “Nostalgjisë Arbëreshe”. Një koncert në Piano Solo i Robert Bishës, që muzikanti e konsideron si një homazh intim ndaj kësaj kulture.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



