Drejtësia

Kultivuan drogë, vëllai i ish-deputetit socialist dhe 2 bashkëpunëtorët e tij dënohen me 17 vite burg

Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka dënuar me 17 vite e 6 muaj burg në total tre persona të arrestuar në prill 2024 për kultivimin e lëndëve narkotike në një stan të fshatit Kashnjet, ku u gjetën 2973 bimë kanabisi me pajisje ventilimi.

Të dënuarit janë, Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist, Eduart Ndreca, Elvis Shpellzaj dhe Armel Ndikdukaj. Të tre kanë përfituar lehtësimin e dënimeve nga gjykimi i shkurtuar.

Konkretisht, Armando Ndreca do të vuajë dënimin me 4 vite e 4 muaj burg që i llogaritet që prej ditës së arrestimit në flagrancë, Elvis Shpellzaj do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, si dhe Armel Ndikdukaj 6 vite e 8 muaj burg.

Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës në muajin prill të vitit 2024, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës.

Nga ky ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe 3 aparate celularë.

Goditja e këtij rasti të kultivimit të bimëve narkotike erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila finalizoi operacionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë