Drejtësia

Kultivonin kanabis në malet e Pukës dhe Mirditës, SPAK çon dosjen e grupit kriminal në gjyq

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet për një grup kriminal që u kap një vit më parë, nën akuzë të kultivimit të lëndëve narkotike në ,alet e Pukës dhe të Mirditës.

Nga hetimi rezulton se të pandehurit Leon Ndrecaj, Ilir Prengaj dhe Gjin Kola në rolin e drejtuesve kanë krijuar një grup kriminal në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë pjesë e këtij grupi duke u përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike me qëllim shitjen më pas të saj.

Kultivimi i bimëve narkotike është kryer në zonat kufitare malore të qarkut Shkodër (Pukë) dhe Lezhë (Mirditë), më pas është përpunuar në vende të posaçme me qëllim shitjen e saj.

Grupi kriminal ka pasur edhe mbështetjen e strukturave të policisë së shtetit dhe strukturave vendore ku është provuar që ata kishin mbështetjen e të pandehurit Kastriot Bicukaj me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Pukë, si dhe të pandehurit Hilë Marnikolaj, me detyrë Kryeplak i fshatit Pletë Pukë.

Veprimtaria kriminale ka filluar nga muaji tetor i vitit 2020, duke vazhduar më pas në vitin 2021 ku nëpërmjet veprimeve hetimore dhe provave të mbledhura ka rezultuar i dokumentuar dhe i provuar ky aktivitet kriminal dhe përgjegjësia penale konkrete e të pandehurve.

Arrestimet u kryen në tetor 2021 në kuadër të operacionit “Qafa e Helmit” . Ky operacion ishte vijim i operacionit policor “Qafa e Helmit 1”, i zhvilluar në muajin gusht 2021, nga ana e Drejtorisë Hetimore, si rezultat i të cilit janë asgjësuar 4000 rrënjë cannabis sativa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë