Futboll

Kulibali te Çelsi, Shkriniar te PSG. Dy gjigantë lënë Italinë

Gazeta Si – Kalidu Kulibali dhe Milan Shkriniar pritet të lënë Italinë për t’u transferuar në kampionate të tjera. I pari në Angli dhe i dyti në Francë. Ofertat për klubet e tyre aktuale janë joshëse, ndërsa Seria A do të humbasë dy gjigantë të mbrojtjes.

Kulibali pritet të kalojë te Çelsi për 40 milionë euro. Senegalezi, i cili ka agjent shqiptarin Fali Ramadani, do t’i thotë lamtumirë Napolit për të provuar Premier Ligën.

Kalidu Kulibali. Gazeta Si, 13 korrik 2022

Mbrojtësi nuk është paraqitur në grumbullimin e Napolit dhe është gati për të fluturuar drejt Londrës. Akordi është arritur për 40 milionë euro kesh. Kulibali do të firmosë një kontratë 4-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 9 milionë euro në sezon.

Çelsi i ka propozuar mbrojtësit 31-vjeçar 3 milionë euro në vit më shumë nga Napoli. Dhe Kulibali ka pranuar, ndërsa Napoli duhet të gjejë sa më parë zëvendësuesin e tij. Ostigard është kandidati kryesor.

Drejt largimit është edhe mbrojtësi i Interit, Milan Shkriniar, shumë afër PSG-së. Sipas “L’Equipe”, pritet që marrëveshja të bëhet zyrtare brenda 72 orësh. Vendimtar duket se ka qenë takimi i fundit me ndërmjetësit e bisedimeve.

Milan Shkriniar. Gazeta Si, 13 korrik 2022

Interi do të përfitojë në këtë rast 60 milionë euro, plus 5 milionë euro bonuse. Me këto shifra operacioni është drejt mbylljes. Shkriniar ka preferuar PSG-në para Çelsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë