Gazeta Si – Merkatoja e mbrojtësve të qendrës është po aq interesante sa edhe e sulmuesve. Sidomos kur bëhet fjalë për ‘top’ mbrojtës, siç është Kalidu Kulibali i Napolit.
E ardhmja e tij është ende e paqartë, por sipas ‘Il Mattino’, pista e Juventusit duhet përjashtuar. Lojtarit të Napolit i skadon kontrata pas një viti. Kulibali mësohet t’u ketë thënë shokëve të skuadrës: “Jo, nuk shkoj kurrë te Juventusi”.

Për momentin, mbrojtësi senegalez ka vetëm këtë qartësi. Një vendim ky që ngroh tifozët e Napolit dhe sigurisht trishton ata të Juventusit.
Prokuratori i mbrojtësit Fali Ramadani dhe presidenti i Napolit De Laurentis nuk janë takuar ende. Pas një takimi mes tyre mund të ketë diçka më konkrete për të ardhmen e Kulibali. Për mbrojtësin janë interesuar më parë Barcelona, Reali dhe disa klube angleze.
Por jo vetëm Kulibali. Në ‘vallen’ e merkatos së mbrojtësve është edhe Milan Shkriniar i Interit. Në kampin zikaltër duhet të shqetësohen, sepse oferta e fundit e PSG–së për sllovakun është vërtet faraonike.

Klubi parisien i ofron mbrojtësit 7.7 milionë euro neto në sezon. Një ofertë që Interi nuk mund ta barazojë kurrë. Tani gjithçka varet nga vullneti i lojtarit. Shkriniar për momentin nuk është shprehur për t’u larguar, por me oferta të tilla asnjëherë nuk ka siguri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




