Kukësi ka marrë një fitore të rëndësishme me Flamurtarin në Vlorë mes polemikash dhe gabimesh të arbitrave të ndeshjes. Ekipi verilindor ka mposhtur 2-1 skuadrën e Dajës dhe tashmë Partizani kryesues do duhet të fitojë me çdo kusht nëse nuk dëshiron që të ketë më afër Kukësin.
Kukësi e nisi shumë mirë përballjen në Vlorë dhe vuri nën presion vendasit. Nga kjo zgjedhje e Kukësit do të vinin frytet e para, pasi nuk vonoi shumë dhe topi shkon për herë të parë në rrjetë. Ishte Et’hemi që përfitoi nga një dalje e pastudiuar nga portieri Koliçi dhe kaloi në avantazh miqtë kuksian. Edhe pas golit të parë, Flamurtari vijoi të ishte i shpërqendruar në mbrojtje dhe linte shumë hapësira në mbrojtje. Sidoqoftë në pjesën e parë do të kishim edhe dy gola të tjera. Në fillim Pollozhani barazon në 1-1, më pas Rroca kalon sërish në avantazh. Sulmuesi i ardhur në merkaton e dimrit kaloi në avantazh ekipin e Cungut vetëm dy minuta pasi shënoi Flamurtari.

Me rifillimin e lojës në 45 minutat e dyta do të vinte rasti më i dyshimtë e kësaj ndeshje. Pollozhani shënon me roveshatë, por në mënyrë të befasishme goli anulohet nga arbitri Olsi Sokoli, i cili pretendoi se goli erdhi pas një loje të rrezikshme nga futbollisti vlonjat. Ky ishte gabimi i dytë flagrant në këtë ndeshje në gjykim, pasi më herët në pjesën e parë anësori dha një pozicion jashtë loje të pa qenë për Idriz Bathën.

Në 30 minutat e fundit Kukësi do të zgjohej dhe iu afrua disa herë portës së Koliçit, por pa mundur dot të shënojë golin e sigurisë. Në 10 minutat e fundit Flamurtari provon gjithçka për gjithçka, duke mbyllur në zonën e tij Kukësin. Në minutën e 3 të shtesës do të ishte sërish një rast i dyshimtë, por gjyqtari bëhet edhe një herë protagonist, duke mos e konsideruar faull ndërhyrjen e Cuculit ndaj Bathës. Kështu Kukësi me këtë fitore ngjitet në kuotën e 38 pikëve, vetëm 2 më pak se Partizani, ndërsa Flamurtari vijon të mbetet i gjashti me 29 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




