Futboll

Kukësi i befason të gjithë, merr portierin nga Seria A

Një duel i ashpër ka qenë kjo merkato dimri mes Partizanit, Skënderbeut dhe Kukësit. Të treja ekipet kanë bërë disa afrime të rëndësishme në këtë merkato. Por Kukësi në orët e fundit të këtij sesioni transferimesh, duket se ka shpërthyer. Pas ish-mesfushorit të kombëtares, Valdet Rama, verilindorët kanë bërë një tjetër afrim.

Edhe këtë herë afrimi të paktën në letër duket i bujshëm, pasi Kukësi ka marrë në formën e huazimit një futbollist nga kampionati Italian Seria A. Ka qenë vetë Kukësi që përmes një njoftimi të shëprndarë për mediet ka bërë me dije se Mauric Gomis do të jetë lojtari më i ri që i bashkohet grupit që drejtohet nga Armando Cungu. Portieri shtatlartë vjen në formën e huazimit tek skuadra e Kukësit nga SPAL, ekip që militon në Serinë A. “Marrëveshja mes tre palëve është arritur mbrëmë, në limitin e transferimeve. 21-vjeçari është afrimi i fundit në skuadrën tonë ,pas zyrtarizimeve të Rroca, Shkurtaj, Xhemaili, Teqja dhe Rama.”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kukësit për këtë transferim të fundit në merkato.

Gjatë dy ditëve të fundit, përveç afrimeve, Kukësi bëri edhe disa rinovime të lojtarëve të rinj dhe atyre të formacionit të parë, duke hedhur bazat edhe për sezonin e ardhshëm. Me këtë afrim mund të thuhet se tashmë Kukësi është gati për pjesën e mbetur të kampionatit, ku objektivi është i qartë, titulli kampion. Me gjithë merkaton e fuqishme për Kukësin nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Partizani përveç 5 pikëve diferencë bëri edhe një merkato shumë të fortë gjithashtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë