Kukësi ka bërë detyrën dhe ka marrë tre pikë të artë në Elbasan, duke mposhtur Laçin, me rezultatin 3-1. Verilindorët fituan me përmbysje. Të parët që shënuan, ishin djemtë e Cungut, me Nuabueze, në minutën e 36-të. Avantazh që zgjati pak, pasi tre minuta më vonë Abazaj vendosi baraspeshën.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë të sfidës Laçi iu afrua shumë golit, ku traversa ndaloi goditjen e dënimit të Deliut. Shkurtaj, i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin nga Musta, kaloi verilindorët në avantazh. Në minutën e 79-të Et’hemi shënoi golin e sigurisë.
Pas kësaj fitoreje, Kukësi ngjitet sërish në vendin e parë, me 41 pikë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e tretë me 32 pikë.

Ndërkohë, dueli tjetër i luajtur po në orën 14:00 mes Skënderbeut dhe Bylisit në Korçë, përfundoi me rezultatin 1-1. Një ndeshje plot me tension, ku ballshiotët kërcënuan me braktisjen e ndeshjes.
Skënderbeu dominoi ndeshjen, me Gripshin dhe Bregun që shpërdoruan disa raste të pastra dhe nuk arrijnë t’i japin fitoren korçarëve. Në minutën e 69-të, Bregu rrëzohet në zonë dhe arbitri akordon një penallti. Dita nuk gabon dhe kalon korçarët në avantazh. Në minutat në vazhdim, skuadra ballshiote e nxitur nga presidenti Kapllanaj, kërkoi të braktiste ndeshjen për shkak të 11-metërshit të akorduar në favor të korçarëve. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, por falë ndërhyrjes së stafit teknik, lojtarët u futën përsëri në lojë.
Në minutën e 86-të, Gaston me një gjuajtje të bukur brenda zonës, vendos baraspeshën në Korçë. Edhe pse Gripshi pati një shans të artë në minutën e fundit, rezultati nuk ndryshoi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




