Gazeta Si – Kukësi gjen fitoren e parë në shtëpi për këtë kampionat dhe të dytën radhazi. Në ‘Kukës Arena’, skuadra e trajnerit Dobi ka mundur 2-0 Bylisin dhe është ngjitur në kuotën e 8 pikëve.
Pati polemika në fakt për golin e parë të kuksianëve, të shënuar nga Ferreira. Fillimisht ky gol u anulua për pozicion jashtë loje nga anësori, por pas 3 minutash VAR-i e konsideroi të rregullt, duke shkaktuar reagime të forta nga ana e ballshiotëve.

Në pjesën e dytë Shqiprim Taipi shënoi edhe golin e dytë për Kukësin, që duket se gradualisht po e merr veten pas atij fillimi të dobët.
Shumë dobët kampionatin e ka nisur edhe Teuta, por ndryshe nga Kukësi, durrsakët nuk po arrijnë të dalin nga kriza. Teuta u mund edhe sot 2-1 në Kamzë nga Kastrioti. Edhe pse kaloi e para në avantazh me Karabecin, skuadra e Shkëmbit doli pa pikë, sepse pësoi 2 gola.
Mbijetesa duket e vështirë për Teutën këtë sezon. Ajo mban vendin e fundit bashkë me Laçin, të dy me nga 4 pikë në 7 javë. Superioren vazhdon ta kryesojë Partizani, me 15 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




