Ka ndodhur

Kukës, protestë në Morinë kundër vendimit të Kosovës për tri vaksinat

Në Kukës, dhjetëra qytetarë kanë protestuar këtë të hënë në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë, me qëllim heqjen e pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me tre doza të vaksinës.

Sipas një vendimi të fundit të qeverisë së Albin Kurtit, askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimit me tre doza të vaksinës ose dy doza vaksine + test negativ PCR.

“Mos të kërkojnë tampon për një vizitë ngushëllimi te miqtë tanë, boll 40 vjet nuk i pamë me sy. Ne kërkojmë të sensibilizohet qeveria e Kosovës, të marrë parasysh kërkesat tona, – ankohen qytetarët. – I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të heqë vaksinën e tretë dhe tamponin 30 euro, nuk kemi mundësi të paguajmë. Ne shkojmë për ndonjë pazar, për një thes misër që bën 10 euro, duhet paguar 30 euro PCR”.

Prej 22 janarit, qeveria e Kosovës ka vendosur masat te reja për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Në pikën dy të këtyre masave thuhet se çdo person i cili hyn në territorin e Kosovës, duhet të kenë  certifikatën e tri dozave të vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa për të gjithë ata të cilët kanë vetëm dy doza të vaksinës, duhet të kenë edhe testin RT-PCR të bërë 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare, test që kushton 30 euro.

Një vendim i tillë nuk është mirëpritur nga qytetarët e Shqipërisë, të cilët për arsye të ndryshme u duhet të udhëtojnë në Kosovë.

Pas hyrjes n fuqi të këtij vendimi, dhjetëra  qytetarë të Shqipërisë janë kthyer nga autoritetet doganore të Kosovës në Vërmicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë