Ngjarje

Kukës, 57-vjeçari regjistroi vajzën ‘fantazmë’ dhe e shpall të vdekur pas 21 vitesh për pension më të lartë!

Gazeta Si – Një plan mashtrimi për të përfituar një skemë të paligjshme pensioni më të lartë, duke përdorur një fëmijë që nuk ekzistonte, është zbuluar në Kukës.

Ngjarja e pazakontë ka pasur si protagonist një 57-vjeçar, i cili për 21 vjet, të paktën në letra kishte një vajzë, e cila “vdiq” në vitin 2021.

Pavarësisht nga përpjekja e tij, ai është arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar janë nën hetim nga policia.

Në fakt bëhet fjalë për një mashtrim, i gjithi në funksion të përfitimit të më shumë parave të pensionit, sipas ligjit të asaj kohe.

Skema u zbulua nga policia, e cila pas disa muajsh hetimi arriti të zbulonte se ky fëmijë nuk kishte lindur e as nuk kishte vdekur kurrë.

Kështu, Xhevit Sopaj, sot 57 vjeç mendoi që në rininë e tij për pensionin. Në moshën 31-vjeçare, Sopaj iu drejtua Gjendjes Civile dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara regjistroi si vajzën e tij të porsalindur identitetin e një bebeje që nuk ekzistonte.

Pas 21 vitesh, në 2021-in, nëpërmjet një skede të vdekjes së vajzës “fantazmë”, gjithashtu të falsifikuar, e çregjistroi atë nga Gjendja Civile.

Por përse i duhej të mashtronte sikur kishte një fëmijë? Sopaj “krijoi” vajzën imagjinare në vitin 2002, kur ndërkohë bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë 2 fëmijë, në 1998-ën dhe në vitin 2000.

Për të përfituar pension më të lartë ndihme nga shteti, sipas ligjit të kohës, familja duhej të kishte 3 fëmijë.

Por në 2004-ën dhe 2007-ën, Zoti e bekoi këtë familje me 2 fëmijë të tjerë, kështu që Sopaj, duke mos ndjerë më përfitime nga vajza imagjinare, e shpalli të vdekur, për të fshirë çdo gjurmë të saj nga certifikata familjare.

Për ta realizuar të gjithë këtë skenar, 57-vjeçari dyshohet se u ndihmua nga një mjek dhe administratori i një agjencie funerale.

Xhevit Sopaj u arrestua nga Policia e Kukësit dhe akuzohet për mashtrim dhe falsifikim.

Ndërsa mjeku dhe administratori po hetohen në gjendje të lirë, për të provuar nëse kanë pasur apo jo gisht në nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara që përdori 57-vjeçari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë