Në disa lloje sportesh Shqipëria ka disnivel të madh në raport me kundërshtarët, është diçka e njohur. Aty ku e kemi të pamundur të marrim rezultat, shpesh jemi kënaqur me paraqitjet dinjitoze, që deri diku kanë justifikuar humbjet, por si mund ta shpjegosh një humbje 125-19, me 106 pikë diferencë?! Po flasim për një Kombëtare, atë të basketbollit të femrave.
Ekipi ynë shkoi me një ekip krejtësisht të ri në Poloni për ndeshjen e parë kualifikuese të Europianit 2023, por ky nuk është justifikim. Edhe një ekip amator ndoshta nuk do të humbte me 106 pikë diferencë… Një katastrofë e vërtetë në parket, një rekord negativ, për “Guinness”.

Kur e sheh këtë rezultat, pyetja e parë që të vjen në mendje është: pse na duhet kjo Kombëtare? Përtej dëshirës dhe vullnetit që mund të kenë vajzat e reja të stërvitura dhe drejtuara nga trajnerja Mirza Alibegaj, do të ishte më mirë që nga aktivitetet ndërkombëtare të hiqnim dorë. Të paktën për një periudhë kohe, derisa të hedhim ndonjë hap përpara.
Një skuadër e padukshme në fushë. Disa fanella kuqezi që shëtisin në parket, kujt i shërbejnë? Statistikat e ndeshjes me Poloninë janë të frikshme, 20-3 perioda e parë. Nivel krejtësisht amator, aq sa Shqipëria nuk përfundon dot aksionin, i përfundon 24-sekondëshi i sulmit pa arritur të gjuajë drejt koshit. Katastrofë edhe në gjuajtjet e lira.

Një gjuajtje për 3 pikë, 7 për 2 pikë dhe 2 gjuajtje të lira në gjithë ndeshjen. Për kaq pak nuk ka pse Kombëtarja e basketbollit të femrave shkon deri në Poloni, mund të na e kursejë këtë turpërim, si dhe shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit. Koha kur rëndësi kishte pjesëmarrja ka perënduar prej vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




