Nga Gazeta 'SI' - Pas një debati disa orësh, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin ku propozon faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Konkretisht, drafti sqaron se bëhet fjalë për ndërtime apo shtesa në banesa në fshatra, apo në objekte të veprimtarive bujqësore dhe blegtorale.
Gjobat do të falen edhe për subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
Duke qenë se drafti propozohet të përfshijë përiudhën 1 janar 2015-30 nëntor 2024, parashikon falje të detyrimeve edhe për shkelësit e rregullave të Covid-19.
Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.
“Të anullojë të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qëndror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në dokument.
Drafti i komunikuar mëngjesin e sotëm në seancën parlamentare krijoi tension midis deputetëve, ku ata demokratë akuzuan se socialistët i dërgojnë ligjet me SMS, pasi nuk kishte asnjë draft të depozituar në Kuvend.
Përplasjet midis deputetëve Bardhi, Zhupa dhe Braçe ishin kryefjala e seancës së sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.