Irena Beqiraj

Kujdes shëndetësor të përballueshëm në vend të kujdesit shëndetësor falas!


Ndërhyrja e qeverisë në sektorin e ofrimit të shërbimit shëndetësor falas shpesh argumentohet me faktin se shërbimi shëndetësor është investim në kapitalin njerëzor, i cili kontribuon në rritjen ekonomike.

Një argument tjetër edhe më bindës që përdoret për të justifikuar angazhimin e qeverive në "ofrimin e kujdesit shëndetësor falas"  mbështetet në nocionin se shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut edhe askush nuk duhet te privohet nga aksesi në shërbimet mjekësore.

Padyshim të gjitha këto janë argumente tërheqëse por një analogji e thjeshtë me ushqimin apo banesat e godet rëndë besueshmërinë e tyre. Besoj se të gjithë dakordësojmë se ushqimi është sa një e drejtë themelore e njeriut, po aq i rëndesishëm sa shëndeti, për të mos thënë më shumë. Banesa po ashtu është një e drejtë themelore e njeriut.  Megjithatë, sigurimi i ushqimit apo banesave është lënë në dorë të individit. Ka programe qeveritare për njerëzit në nevojë, por ndërhyrjet e qeverive për sigurimin e ushqimit apo banesës janë shumë më të vogla krahasuar me ndërhyrjet në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Ka një arsye të qartë për këtë asimetri edhe ajo është thjesht politike. Pjesa më e madhe e  votuesve, mundet që të përballojnë ushqimin, por njëjta gjë nuk është e vërtetë për kujdesin shëndetësor. Ndërkohë që  shëndeti është ngacmues emocional më i fortë për njerëzit sesa  posedimi i një banese.

Ndaj premtimi për "shërbim shëndetësor falas" ka rezultuar "një kartë" e fortë politike.

Ne shqiptarët jemi dëshmimtarë se si socializmi një sistem ekonomik joefikas, çnjerëzor dhe moralisht i falimentuar mundi të zgjaste me dekada jo sepse ofronte ushqim falas por iluzionin e sigurisë ekonomike universale me anë të  sigurimin  të strehimit, kujdesit shëndetësor, apo  shërbimeve e tjera bazë sociale falas.

Po t'u hedhim një sy sistemeve që tentojnë mbulim universal të shërbimit shëndetësor,ato kanë veçoritë e tyre të ndryshme.  Shpenzimet për kujdesin shendetësor variojnë qoftë si përqindje e PBB-së,  qoftë si përqindje mbi shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Niveli i mbulimit të shpenzimeve po ashtu varion por askund nuk është 100%.  

Në secilin prej tyre burokracia funksionon ndryshe, kohët e pritjes janë të ndryshme dhe rregullat e aksesit janë të ndryshme. Megjithatë, në aspektin ekonomik , sistemet ndajnë saktësisht të njëjtën karakteristikë: përgjithësisht dikush tjetër e paguan  faturën!

Mendoni për një moment nëse njerëzit do ta paguanin nga xhepi trajtimin mjekësor në të njëjtën mënyrë siç paguajnë për makinën, ushqimin ose për çatinë mbi kokë. Ky fakt do t'i  inkurajonte të bënim një sërë pyetjesh si : "A ka një mënyrë më të lirë e cila mund të funksiononte?", "A mund të marr një trajtim me vlerë më të ulët diku tjetër?" 

Madje duke pasur parasysh që shëndeti  (përtej faktorëve gjenetikë ) është përgjegjësi  individuale , mbulimi i kostove të shërbimit shëndetësor mund të na shtynte të kursenim më shumë , të pinim më pak duhan apo alkool, të ushqeheshim më mirë e të ushtroheshim më shumë.

Së dyti, edhe pse ideja se shërbimet  shëndetësore janë  falas na pëlqen të gjithëve,  fatkeqësisht ato nuk janë falas.  Qytetari mesatar paguan për to dhe paguan shumë. Qytetari paguan për obezitetin e një grykësi të padisiplinuar, për tumorin  e mushkërive të një duhanpirësi, për mëlçinë e dëmtuar të një alkolizuari , edhe në vende si Shqipëria , ku shërbimi  falas nuk është i mjaftueshëm  , ai paguan edhe për të kënaqur "lakminë për t’u pasuruar brenda natës"   të zyrtarëve, mjekëve farmacistëve edhe infermierëve.  

Së treti, është e rëndësishme që publiku  të  kuptojë  që në "sistemet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore falas kostot janë gjithmonë në rritje. Shikoni teknologjinë mjekësore, ndërsa çmimi i teknologjive të tjera tenton të bjerë, çmimi i teknologjive mjeksore vazhdon të rritet . 

E pra, për sa kohë që pacientët nuk kanë asnjë shtysë për të kërkuar çmim më të mirë përtej cilësisë, rritja  e kostos është e pashmangshme.

Për më tepër fakti që operatorët privatë të ofrimit të shërbimeve mjeksore mund të përdorin të njëjtat burime njerezore me ofruesin publik, eleminon çdo mundësi për konkurencë. Mjekët e spitaleve shtetërore janë kthyer në agjentë shitjeje për shërbimet e ofruara tek operatorët privatë duke eleminuar keshtu çdo mundësi për të ulur kostot.

Në këto kushte,  nuk ka asnjë mënyrë për t'ju dhënë shërbim cilësor falas të gjithëve, ai do të  jetë gjithmonë i pamjaftueshëm edhe sërish do të shërbehet më shpejt e më mirë ai që ka mundësi  të paguajë më shumë, ku i pamunduri do të mbetet sërish i pashërbyer.

Dikush,  duhet të jetë në gjendje të thotë me zë të lartë se sistemi i kujdesit shëndetësor falas nuk është i shëndetshëm , nuk është i kujdesshëm , por ç'është më e keqja  nuk është as sistem.

Pas 80 vitesh që provojmë në kurriz mizerabilitetin e kujdesit shëndetësor falas,  duhet të refuzojmë çdo politikëbërës që na e premton atë.

Në vend të tij duhet të kërkojmë të ndërtojmë një sistem shëndetësor të përballueshëm për të gjithë i cili promovon përgjegjësinë individuale për shëndetin  dhe shmang mbështetjen e tepërt tek  shteti ; angazhon konkurrencën dhe forcat e tregut për të përmirësuar shërbimin dhe për të ulur koston; Shteti ndërhyn drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor vetëm kur është e nevojshme, pra  tregu nuk arrin të mbajë kostot e kujdesit shëndetësor të ulëta; por mbi të  gjitha  shteti duhet të jetë  i vetëdijshëm mbi kapacitetet e tij të subvencionimit duke përcaktuar qartë se cilat shërbime do të subvencionojë edhe cilat  janë shtresat që mund të mbështeten gjerësisht në subvencionimet e tij.


Copyright © Gazeta “Si”