Para se të shpërbëhej, Federata Jugosllave përbëhej nga gjashtë republika socialiste. Ishte Serbia, Bosnja, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova gëzonte statusin e provincës autonome brenda Serbisë.
Procesi i shpërbërjes nisi me Slloveninë dhe Kroacinë, vazhdoi me Maqedoninë e Bosnjen, më vonë me Malin e Zi dhe në fund me shkëputjen e Kosovës. Diku shkëputjet ishin relativisht paqësore, si në rastin e Sllovenisë, Maqedonisë e Malit të Zi, e diku tjetër shumë të dhunshme, si në rastin e Kroacisë, Bosnjes e Kosovës.
Por, e përbashkëta është se në të gjitha rastet idetë për të ndryshuar kufijtë që ekzistonin si kufij administrativë në kohën e Jugosllavisë u shpërfillën njëra pas tjetrës. Kufijtë janë një temë e nxehtë në Europë, e veçanërisht në Ballkan, ndaj ndërkombëtarët panë si zgjidhje më të mirë në rastin e Jugosllavisë ruajtjen e vijave të vendosura që në kohën e federatës dhe këtë zgjidhje e përdorën edhe në rastin e Kosovës.
Gjërat kishin ndryshuar dhe gjatë ekzistencës së federatës, diku me hir, e diku me pahir kishin ndodhur ndryshime demografike në shumë rajone, duke u krijuar xhepa me popullsi etnike të ndryshme nga popullsia mazhorancë në vendin e ri. I tillë është rasti i serbëve të ndodhur në Kosovë pas 2008. Janë serbët e Graçanicës, por edhe ata në veri të Mitrovicës, që vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e 17 shkurtit të 10 viteve më parë.
Beogradi është i vetëdijshëm se nuk mund ta pengojë përgjithmonë njohjen e Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe ka mbajtur gjallë gjatë të gjithë kësaj periudhe idenë e ndarjes së Kosovës dhe rishikimit të kufijve. Me parimin “të shpëtojmë ç’të mundim”, të konfirmuar së fundmi edhe nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, Serbia duket se ka gjetur aleatë edhe në Perëndim. Ideja e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve është një ide e vjetër dhe Brukseli s’ka se si të jetë zënë i papërgatitur.
“Një anëtar i qeverisë së Kosovës më shkruante këto ditë lidhur me ecurinë e bisedimeve përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës se dikush në Bruksel i ka kërkuar Prishtinës të pranojë ndryshime të karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale dhe se Kosova nuk duhet të vendosë vija të kuqe në këto bisedime. Mesazhi diplomatik i dikujt në Bruksel është i qartë dhe kërkon që Kosova të cedojë në sovranitetin, në integritetin territorial dhe në pavarësinë e vet”, paralajmëronte në fund të korrikut përmes një postimi në rrjetet sociale, diplomati shqiptar, Shaban Murati.
Ideja e Beogradit duket se ka gjetur mbështetje edhe në Uashington, sidomos pas emërimit të John Bolton si këshilltar për sigurinë i Donald Trump. Bolton është një emër i njohur për shqiptarët e serbët. Para se Kosova të shpallte pavarësinë ai mbante pozicionin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në OKB. Ishte periudha e administratës së George W. Bush. Kundërshtoi vendimin e Uashingtonit për të mbështetur e njohur pavarësinë e shpallur në Prishtinë, duke deklaruar se shteti i ri do të trazonte më shumë rajonin dhe nxiste pasigurinë.
Pikërisht Bolton ka qenë personi me të cilin Ivica Daçiç është takuar më gjatë në vizitën e fundit zyrtare të zhvilluar në Uashington, ku përmes një deklarate të bërë publike në mediat serbe, Ministria e Jashtme e Beogradit konfirmonte se temë diskutimi kishte qenë edhe ideja e ndryshimit të kufijve me Kosovën.
Takimi Daçiç-Bolton u mbajt në ditët e fundit të muajit qershor. Tre javë më vonë, në Bruksel takohej Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ishte takimi më i shkurtër dhe më i vështiri.
“Kam frikë që nëse nuk arrijmë një marrëveshje përfundimtare të dyja vendet do të humbasin shumë. BE nuk do të pranojë as Kosovën dhe as Serbinë përsa kohë ne kemi probleme të hapura mes nesh”, deklaronte Hashim Thaçi.
Ky ishte sinjali i parë i një ndryshimi drastik në qëndrimin e Presidentit të Kosovës, që pak ditë më vonë do të fliste në intervista dhe deklarata për idenë e “korrigjimit të kufijve”. Si shembull merrte korrigjimin e kufijve mes Belgjikës dhe Holandës, ndërsa përmes një postimi në rrjetet sociale thellon më tepër idenë e tij.
“Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndryshim kufijsh mbi baza etnike, por korrigjim të kufijve dhe njohje të përbashkët të të dy vendeve”, deklaron ai.
Deklarata i prodhoi “armiq” shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Opozita në Prishtinë e akuzon për tradhti dhe kërkon dorëheqjen e tij, në Tiranë, miku i hershëm Sali Berisha i doli kundër pas një takimi me Ragmi Mustafën të Luginës së Preshevës. Për këtë qëndrim, Berisha mori si “kusur” një kundërpërgjigje të ashpër të Hashim Thaçit.
Kundër ndryshimit të kufijve, por me një gjuhë me diplomatike ka dalë edhe Kadri Veseli, në intervistën e dhënë së fundmi për gazetën Koha Ditore, por edhe ish-ministrja e kabinetit Thaçi për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri. Në një intervistë dhënë për RTSH, ajo paralajmëron se çfarë nënkupton në vetvete ndryshimi i kufijve në një vend të Ballkanit.
“Këto janë ide të nxitura nga Serbia, por unë jam e bindur që janë po ashtu të mbështetura nga Rusia, e cila ka një rikthim të ambicieve gjeopolitike ndaj Ballkanit. Por një mesazh që duhet t’i dërgohet faktorit ndërkombëtar është se prekja e kufijve të Kosovës, çon në luftë, sepse Ballkani është i njohur që nuk bën prekje kufijsh, apo ndryshim kufijsh në forma të tjera dhe e dyta që në rastin e Kosovës nuk mund të flasim vetëm për shtetin e Kosovës, por duhet të shikojmë edhe kombin shqiptar, nëse preken kufijtë në Ballkan, duhet të preken për të gjithë Ballkanin”, deklaroi ajo.
Tahiri i referohej situatës së shqiptarëve në Mal të Zi dhe Maqedoni. Nëse një ndryshim kufijsh mbi baza etnike mes Serbisë dhe Kosovës do të realizohej, kërkesa e shqiptarëve në këto dy vende për t’u bashkuar me Shqipërinë apo Kosovën do të legjitimohej edhe më fort. Kjo do të përkthehej në një efekt domino dhe hapje të “Kutisë së Pandorës”, që më vonë s’do të prekte vetëm shqiptarët, por edhe rajone të tjera në Ballkan, madje rrezikon që konflikti të eksportohet edhe brenda vetë BE-së, si në rastin e Kroacisë, Bullgarisë, apo Rumanisë.
Këtë e paralajmëronte pak kohë më parë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
“Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, deklaronte ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
E si të mos mjaftonin këto, gjasat janë që ky skenar ta vendoste Tiranën në një pozicion më pak komod në bisedimet me Greqinë për çështjen e kufirit detar. Grekët i tremben një Shqipërie të Madhe dhe kjo do të çonte në rritjen e presionit ndaj cilësdo qeveri në Athinë dhe rrjedhimisht ashpërsimin e gjuhës diplomatike mes dy vendeve.
Pra, ndryshimi i kufijve mbetet ende një temë delikate në Ballkan dhe një temë që historia na ka provuar që nuk konsumohet pa shkrepur pushkën dhe ku vlen ende fraza: “ Nuk mund të them se kur do të ndizet lufta, por mund të them se ku: nga ndonjë budallallëk që do të kryejë dikush në Ballkan”.
Disa historianë ja atribuojnë këtë frazë kancelarit gjerman të shekullit të 19-të, Otto Von Bismarck, ndërsa disa e vënë në mëdyshje autorësinë e tij. E sigurtë është që fraza i takon periudhës para Luftës së Parë Botërore dhe kur kanë kaluar më shumë se një shekull që prej asaj kohe, mbetet ende aktuale për rajonin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.