Ndeshja e parë e një rruge të gjatë drejt Botërorit 2022 mbyllet me fitoret bindëse të Brazilit e Kolumbisë. Seleçao shkatërron 5-0 Bolivia: gola të Marquinhos, Roberto Firmino (dopietë) e Coutinho, të cilëve i shtohet edhe autogoli i Carrasco. Në anën tjetër, Cafeteros e mbyllën që në pjesën e parë historinë me Venezuelën: 3-0 me gola të atalantinëve Zapata e Muriel, me këtë të fundit që realizoi dygolësh.
BRAZIL-BOLIVI 5-0

Kombëtarja e teknikut Tite u kthye në fushë për herë të parë që gati 11 muaj dhe e bën me stilin e zakonshëm, duke dominuar dukshëm kundër një Bolivie shumë të varfër në kualitet, për të përfaqësuar ndonjë pengesë. Në Arena Corinthians të San Paolo përfundon me ‘manita’: ndeshjen e zhbllokoi Marquinhos në të 16’, me një goditje me kokë, në krosimin e Danilos. Dyfishimi mban firmën e Roberto Firmino, që në të 30’ finalizoi një kombinim brilant të nisur nga Neymar e vazhduar nga krosimi i ulët i Renan Lodi. Bolivia dorëzohet dhe sulmuesi i Liverpool në të 49’ shënoi dygolësh në asist të kampionit të Psg, ndërsa në minutën e 66’ Carrasco devijoi në portën e tij një harkim të Coutinhos. Pikërisht lojtari i Barcelonës mbylli llogarinë 7 minuta më pas, duke konkretizuar me një goditje me kokë pasimin vendimtar të një Neymar tepër të inspiruar për 5-0 finale.
KOLUMBI-VENEZUELË 3-0

Nis shumë mirë aventura drejt Katarit për Kolumbinë, duke mposhtur Venezuelën me rezultatin 3-0, që në pjesën e parë. Duvan Zapata hapi serinë e golave në minutën e 16, me një devijim vendimtar në krosimin e Juan Cuadrado nga e djathta. Goli shkatërron strategjitë e venezuelaseve, që pësojnë golin e dytë dhjetë minuta më pas: aksion fantastik i Mojica në të majtë, krosim i ulët për Muriel që, i vetëm para Farinez, nuk mund të gabonte. 3-0 mbërrin me autor po ish-sulmuesin e Sevilla dhe Fiorentinës, në kohën shtesë të pjesës së parë: progresion i pandalshëm e goditje e fortë që përfundoi në rrjetë. Ndeshja përfundon këtu dhe pjesa e dytë është thjesht një test stërvitor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




