Futboll

Kualifikohet Dinamo City, Egnatia dhe Ballkani kthehen në shtëpi

Nga Gazeta Si – Dinamo City bën mrekullinë, eleminon Hajduk Split dhe vazhdon më tej në Conferencë League ku do të përballet me polakët e Jagiellonia Białystok.

Me një mbrojtje të improvizuar në qendër dhe pas humbjes me përmbysje një javë më parë, të besuarit e Dajës shënuan sërish të parët. Në “Arenën Kombëtare” ishte Zabërgja që zhbllokoi në 14’.

Gol që mjaftoi për ta çuar sfidën në kohën shtesë. 6’ nga fundi i shtesës së parë, kroatët barazuan me Karacic (99’). Por Qardaku (109’) dhe Berisha (111’) i çuan shifrat e përgjithshme në 4-3 duke hapur rrugën për në playoff.

Eleminohet Egnatia që në shtëpi nuk bëri më shumë se barazimi 2-2 në kohën e rregullt ndaj Olimpija Ljubljanës.

Dy herë Lushkja (në 6’ dhe 86’) për çdo pjesë ishte shumë pak përballë sllovenëve që fillimisht barazuan me Jelenkovic (32’) dhe kaluan në avantazhin e parë me Marin në 78’.

Vendasit u “tradhëtuan” nga Yahaya që mori dy kartona të verdhë në 5 minuta (76’-81’) duke lënë kampionët tanë në inferioritet.

Në kohën shtesë ishin Durdov (99’) dhe Alex Blanco (107’) që shënuan edhe dy herë për sllovenët që kalojnë në playoff dhe ruajnë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Fazën e Ligës.

Ballkani u eleminua nga Conference League pas pokerit që pësoi në Republikën e Irlandës nga vendasit e Shamrock Rovers.

4 gola që zhvfletësuan avantazhit e ndeshjes së parë dhe që kthejnë Ballkanin me këmbë në tokë. Skuadra e Shehit rezistoi vetëm 45’ por në pushim shkoi në disavantazh pas golit që pësoi në minutën e parë shtesë nga Gaffney.

I njëjti lojtar dyfishoi 3’ pas kthimit nga dhomat e zhveshjes. 10’ pas pushimit ishte Honohan që siguroi kualifikimin e Shamrock që filloi festën pas golit të Burke në 67’.

Pas kësaj humbjeje dardanët shtyjnë të paktën një sezon takimin me Fazën e Ligës në Kupat e Evropës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë