Analize

Ku qëndron ‘hileja’ e Francës me negociatat?

Një proverb i vjetër ballkanas thotë se dita e mirë duket që në mëngjes. Dhe duke gjykuar vendimin francez për të bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një sërë ekspertësh kanë ngritur alarmin se propozimi i Parisit për ndryshimin në modelin e negociatave me Bashkimin Europian është thjesht një mjet për të shtyrë sa më shumë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Pas dritës së kuqe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe kritikat që erdhën nga Brukseli dhe Berlini, Parisi paraqiti një propozim për publikun europian për të reformuar procesin e negociatave. Macron propozon që kapitujt të zëvendësohen me shtatë faza, duke u përfshirë gradualisht në institucionet e BE-së dhe marrjen e fondeve, por edhe vendosjen e kushteve më të rrepta. Por ndërkohë që disa ekspertë e shohin këtë propozim si përpjekje e Francës për të frenuar zemërimin e Berlinit për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, disa ekspertë besojnë se ky model është thjesht për të ngadalësuar negociatat me Ballkanin Perëndimor dhe për ta bërë më të vështirë integrimin “de facto”.

Studiuesi i Qendrës Austriake për Çështjet ndërkombëtare, në Universitetin e Vjenës, Vedran Džihić ka paralajmëruar vendet e Ballkanit Perëndimor të “kenë kujdes” nga propozimi francez, duke e cilësuar një "lëvizje cinike të BE-së".

"Është një veprim që nuk është në përputhje me as parimet e BE-së, as nuk përputhet me metodologjinë dhe parimet që vetë BE-ja ka përcaktuar për këtë proces", tha Džihić, duke shtuar se “modeli francez për negociatat e anëtarësimit paraqet një model teknokratik”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron. Gazeta Si, 2019

“Ai vjen si një përpjekje e Francës për të justifikuar bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", deklaroi eksperti austriak gjatë një konference të mbajtur në Vjenë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas propozimit të Parisit, negociatat nuk do të ndaheshin më në 35 kapituj të bisedimeve, por në faza, bazuar në fusha specifike. Pas zbatimit të suksesshëm të reformave në një fazë të caktuar, vendi kandidat do të bëhej anëtar i BE-së në atë fushë dhe do të kishte në dispozicion fondet e përdorura nga të gjitha shtetet e tjera anëtare. Pa një mbyllje të suksesshme të kësaj faze, nuk është e mundur të përparosh në fusha të tjera. Gjithashtu, nëse shteti nuk i përmbush angazhimet e tij në ndonjë fazë, ai do të duhet të nisë edhe njëherë nga fillimi implementim e saj. Por ky qëndron “hileja” e Francës?

“Ajo që bie në sy është fakti që sundimi i ligjit është në fazën e parë. Kjo do të thotë që, pa sundimin e ligjit, lirinë e medieve dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, nuk do të jetë e mundur që vendet e Ballkanit të bëjnë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër”, thotë analisti Srđan Cvijić. “Kjo qasje është plotësisht e kundërt me atë ekzistuese, pasi kapitujt 23 dhe 24 të sundimit të ligjit hapen në fillim të negociatave të pranimit dhe mbyllen në fund, pikërisht sepse ato janë më komplekse dhe më të vështirat, sidomos kur bëhet fjalë për rajone që nuk kanë një traditë të fortë demokratike. Lind dyshimi se prapa zemërgjerësisë së Francës për të dhënë fonde për vendet që janë duke negociuar, qëllimi i vërtetë është që vendet e rajonit, duke pasur parasysh performancën e tyre të dobët në fushën e sundimit të ligjit, do të qëndrojnë të bllokuara për shumë vite vetëm në fazë fillestare”, thotë analisti serb në Institutin e Politikave Europiane në Bruksel.

Propozimi i Francës përmbledh në fakt disa nga idetë kryesore që mund të jenë dëgjuar kohët e fundit në komunitetin e ekspertëve. Por nëse do ta analizonim me kujdes, duket se pjesa më problematike e këtij dokumenti është kushti që integrimi de “facto” do të vijë vetëm pasi BE të jetë reformuar. Duke qenë se askush nuk mund të parashikojë se kur do të ndodhë kjo, vendet e rajonit mund të gjenden përballë një skenari kur i kanë plotësuar “kushtet e rrepta” dhe mos të pranohen në BE, duke pritur këtë të fundit të vetë-reformohet.

Srđan Cvijić, Gazeta Si, 2019

Ai shton se problemi nuk qëndron në vetë metodologjinë, por në sistemin e vendimmarrjes brenda Bashkimit Evropian, i cili, për shkak të nevojës për vendime unanime të zgjerimit, lë mundësinë që anëtarët të bllokojnë zgjerimin, pavarësisht nëse vendi kandidat po përparon apo po bën hapa pas.

Cvijić beson gjithashtu se me këtë përpjekje për të ndryshuar procesin e negociatave, Franca dëshiron ta paraqesë vetëm si një partner konstruktiv dhe jo i paparashikueshëm përballë Berlinit, Romës dhe Vjenën.

"Pa një zgjidhje për sistemin e vendimmarrjes, çdo lloj ndryshimi metodologjie nuk do të jetë e dobishme. Nëse Franca është vërtet e sinqertë në dëshirën e saj për të reformuar sistemin e negociatave të pranimit, ajo duhet të kërkojë që ta hapen negociatat e pranimit me Tiranën dhe Shkupin" thotë Cvijić.

Megjithëse propozimi francez do të diskutohet ende në Bruksel, sipas DW, gjermanët janë shumë të kujdesshëm në lidhje me dokumentin, kryesisht për shkak të frikës se futja e një metodologjie të re do të vononte në të vërtetë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që Berlini e konsideron të papranueshme. Cvijić shpjegon se Roma dhe Berilni janë skeptikë ndaj metodologjisë së re të negociatave, për shkak të dyshimeve se Parisi po e bën për shkak të rrethanave të brendshme politike dhe jo interesave të caktuara në politikën e jashtme.

"Franca do të zhvillojë zgjedhje lokale në mars të vitit të ardhshëm, si dhe zgjedhjet presidenciale në prill të vitit 2022. Partia qeverisëse e Presidentit Macron dëshiron të minimizojë rrezikun e humbjes së këtyre zgjedhjeve përballë Marin Le Pen", deklaron ai.

Angela Merkel, Emmnauel Macron dhe Mark Rutte, Gazeta Si, 2019

"Kundërshtimi i zgjerimit mund të parandalojë Macron që të humbasë disa pikë përqindje në të dyja zgjedhjet. Ballkani Perëndimor gjithashtu nuk është një rajon i rëndësishëm për Francën. Kur shikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e huaja direkte, rajoni ynë është ndikuar shumë nga Gjermania, Italia dhe pjesërisht Austria. Franca humbet shumë pak kur kundërshton zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor "shpjegon Cvijić.

Po ashtu, qasja e re e propozuar nga Franca dobëson pozicionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që tashmë po negociojnë anëtarësimin, si Serbia dhe Mali i Zi, sepse kalimi nga faza në fazë kërkon kohë.

Për më tepër, mosmarrëveshjet bilaterale duhet të vendosen diku. Tani për tani, ato janë pjesë e Kapitullit 35, siç është dialogu midis Serbisë dhe Kosovës. Por mosmarrëveshjet e tilla nuk mund të zgjidhen në fazën e shtatë të procesit të integrimit, siç sugjeron Franca. Kjo mund të shkaktojë po ashtu ngadalësimin e procesit të integrimit të rajonit, pasi shumë vende kanë një sërë çështjesh të hapur, siç është në rastin e Shqipërisë, çështja e kufirit detar me Greqinë.

Burimet: "European Western Balkans", "Eu Observer", "EuroNews"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë