Analize

Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve?

Tamtami më i fortë i daulles së Rilindjes, përpara se të vinte në pushtet, u dëgjua për borxhin publik që demokratët kishin krijuar. Por sot, pas gati një mandati e gjysmë qeverisje, kjo daulle duket se është çarë nga të dhënat e FMN-së dhe brenda saj gjetëm se borxhi në vitin 2017 arriti në 71.5% të PPB-së.

Qeverisja e socialistëve, jo vetëm që nuk arriti të ulë “malin” e borxheve, siç thoshte ajo, që ishte 62.2% dhe 70.4% e PPB-së përkatësisht në vitet 2012 dhe 2013 (sapo nisën mandatin socialistët morën borxh të ri), por e rriti dhe më shumë, madje në një kontekst tjetër që duhet të ndodhte e kundërta.

Ky rezultat shënon një premtim elektoral të pa mbajtur deri tani. Megjithëse shqiptarët ndaj këtij treguesi shfaqen përgjithësisht indiferent kanë prapë kohë të reflektojnë deri ditën që thirren për votime, pasi nga ky rezultat është i lidhur një zinxhir i gjatë  i efekteve negative që ka sjell..

Për të ulur borxhin dhe për të rritur investimet, Rilindja vendosi të rrisë taksat, megjithëse u mundua shumë ta fshihte këtë fakt publikisht. Të paktën gjatë katër viteve të para, pas 2013-s, shqiptarët kanë paguar rreth 500 milionë dollarë taksa më shumë në vit se në 2012.

Ndërkohë, investimet kapitale nga buxheti janë 0.3% më pak se viti 2012 (nuk e përfshijmë 2013 si vit kur ndodhi tranzicioni i pushtetit). Këto investime janë në rendin 4.4% e PPB-së, rezultat i ulët krahasuar me çdo vit, para se të qeveriste Rilindja.

Pra kemi një situatë të tillë: taksat rriten ndjeshëm, investimet kapitale janë të ulëta dhe gati njësoj në çdo vit dhe borxhi publik sërish rritet. Atëherë ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Për çfarë janë përdorur ato?!

Fotografi ilustruese  nga "Si"

Rritja ekonomike, me shumë vështirësi, arriti 3% dhe të ardhurat reale të popullatës nuk janë rritur. Me këto fakte është e kuptueshme se paratë e taksapaguesve janë përdorur për gjithçka tjetër, veç jo për mirëqenien e tyre.

Ndërkohë, po vihet re një fenomen tjetër. Ritmi i mbledhjes së të ardhurave po shfaq tendencë rënie. Sipas vetë Ministrisë së Financave, në tremujorin e parë të vitit, ritmi i rritjes ishte vetëm 3.8%. Ky është ritmi më i ulët që pas vitit 2013. Me rritjen ekonomike që pretendon qeveria, 4%, dhe inflacionin (1.95%), rezultati duhet të ishte të paktën 6%.

Fotografi ilustruese nga "Si"

Nëse qeveria do të ecë me logjikën e fillimit të mandatit, duhet të rrisë sërish taksat. Por ajo s’mundet ta bëjë më këtë, sepse teknikisht, kemi arritur në pikën e ngopjes, kur nuk prodhohen dot më shumë të ardhura në buxhet dhe, së dyti, do të ishte një vetëvrasje politike. Zgjidhja duhet të vijë nga një drejtim tjetër, ndoshta është ulja e taksave dhe rishikimi i politikave ekonomike të zbatuara deri sot, me qëllim reformimin e administratës dhe uljen e shpenzimeve. Deri sot, nuk duken shenja për ndryshim kursi dhe realisht dyshojmë shumë që qeveria aktuale mund ta bëjë këtë. Por rrugë tjetër për t’ju lehtësuar nga shpina shqiptarëve borxhin që po ju rritet dhe për t’ju kthyer mbrapsht diçka nga taksat që qytetarët po paguajnë kaq shumë, Rilindja nuk ka.

Editorial nga Revista "Monitor"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë