Editorial

Ku gabojnë artistët dhe ku gabon qeveria

Një akt normativ për ndalimin e punës së diskove, pubeve dhe lounge-bareve, e cila ndalon muzikën dhe aktivitetin e tyre pas orës 20:00 të mbrëmjes është shndërruar gati-gati në shqetësim dhe debat kombëtar.
Me rihapjen e vendit pas karantinës, me çeljen e sezonit veror, Shqipëria u kthye për fat të keq në rutinën e përpara virusit. Numrat e rritur të javëve të fundit krahas shthurjes në të gjithë drejtimet kanë një shtysë edhe nga mosrespektimi i masave pikërisht në këto biznese. Ose të paktën kështu mendon qeveria, dhe e cila ka dëshmi kur shikon në rrjetet sociale se si vërshojnë lumë foto dhe video të festave ku distancimi social shihet si shfaqje e huaj në të gjithë movidën e Tiranës apo atë të vijës bregdetare.
Por a është ky akt normativ zgjidhja?
Do të mundohemi t’i përgjigjemi më vonë kësaj pyetje, pasi të kemi shtjelluar më parë sa më shumë aspekte që prek akti normativ, qoftë sa i takon shëndetit, qoftë sa i takon biznesit, qoftë edhe sa i takon argëtimit a punësimit përmes tij.
Prej dy ditësh në protestë përpara Kryeministrisë ka një numër të konsiderueshëm personash që akti normativ i qeverisë u prek punën dhe jetesën prej saj në mënyrë të drejtpërdrejtë. Media u afron mikrofonin të parëve atyre që dashje pa dashje janë personazhe të njohur të botës së artit, dhe që sezonin e verës e kanë si pikun e aktivitetit të tyre, këngëtarëve dhe artistëve. Më pas flasin pronarët e këtyre aktiviteteve dhe të fundit punonjësit e thjeshtë, ata që mbajnë banakun, tavolinat dhe rutinën e punëve të tjera në disko e pube.
Në fakt, akti ua mbyll punën të gjithëve. Dhe prandaj të gjithë ndjehen të shqetësuar e revoltuar. Ministrja e Shëndetësisë tha të hënën se ky aktivitet po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, e ku duke mos respektuar asnjë protokoll këto ambiente po kthehen në qendra të përhapjes së virusit mes të rinjve, të cilët më pas ua çojnë atë në shtëpi peshqesh edhe prindërve. Por duke i dhënë zë protestës së artistëve, pronarëve dhe punonjësve të diskove dhe pubeve, duke i dhënë hapësirë zemërimit të tyre, askush nuk bën dy pyetje të thjeshta për raportin që këta persona – krahas argëtimit- kanë me shoqërinë:
-A e kanë respektuar ata në biznesin e tyre protokollin e masave anti-Covid? Pronarët dhe administratorët e këtyre bizneseve përpara ligjit janë të detyruar të zbatojnë rregullat dhe të marrin masa që ato të ndiqen. Nuk mund të fshihen pas gishtit duke thënë se është në ndërgjegjen e qytetarëve sepse është njësoj si të thuash të pranojnë që një klient të thyejë e dërrmojë gjithçka, të mos paguajë e ta lejojnë të bëjë diçka të tillë se kështu është ndërgjegjja individuale. Edhe biznesi ka rregulla që rregullojnë marrëdhënien, të drejtat dhe detyrimet e gjithë shoqërisë.
-Ata artistë e këngëtarë që siç i kemi parë vite të tëra dhe siç i shohim edhe këto ditë në intervistat që japin nga plazhet e studiot glamour flasin se po u ecën edhe pse me pak më shumë vështirësi puna edhe në kohë pandemie me pagesa aspak normale, a kanë paguar ndonjë kontribut për honoraret që marrin në koncertet që japin? Të gjithë e dimë që një këngëtar, një artist nuk paguhet njësoj si shumica e njerëzve për një natë koncert në plazhe e pube dhe të gjithë e dimë që kjo pagesë kryhet me para në dorë, pa asnjë kontratë të deklaruar në tatime, prandaj pakkush do t’i përgjigjej me ndershmëri kësaj pyetje.

This image has an empty alt attribute; its file name is artistet-proteste-2-1110x722.jpg
Pronare, artiste, DJ e muzikante duke protestuar para kryeministrise kunder vendimit per mbylljen e klubeve e lokaleve te nates dhe ndalimin e muzikes pas ores 20:00, per te frenuar hapjen e koronavirusit, COVID 19 ne Shqiperi. Policia krijoi nje kordon per te penguar protestuesit dhe per t’i shperndare ata..


Nëse asnjë nga këto nuk plotësohet, atëherë edhe ata e humbasin të drejtën të kërkojnë nga shoqëria. Ajo ka të drejtë t’u thotë celebriti-ve shqiptarë dhe pronarëve të pubeve që as të mos flasin as të mos protestojnë kur ata dalin për biznes dhe luks në krahasim me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, duke shkelur ligjet e pa respektuar asnjë kriter sigurie. Një lokal i tillë me kushtet e reja që na solli pandemia nuk mund të ofrojë të njëjtin normalitet si çdo verë tjetër, por duhet të respektojë një protokoll sigurie për veten dhe klientët të cilëve u shërben. Nuk mundet që në zonat e movidës së kryeqytetit të shohësh që njerëzit të vazhdojnë të ngjishen si sardele në orët e natës, ku nuk respektohet asnjë distancim social, ku nuk vendosen maska dhe ku dëshira për para të prevalojë mbi kujdesin për jetën.
Por kjo është gjysma e të vërtetës.
Një shtet serioz dhe i fortë nuk e gjen zgjidhjen gjithmonë te ndalimi nëse nuk arrin që të kontrollojë zbatimin e rregullave që ka vendosur vetë. Mbyllja e një biznesi duhet konsideruar gjithmonë si fatkeqësi, sepse mbyll mundësitë e shumë njerëzve për të jetuar me punën e tyre, u heq të ardhurat për të garantuar një minimum normaliteti në familje, ushqim, shkollim për fëmijët, u heq edhe mundësinë që të paguajnë taksat që po shteti i kërkon me aq. Çdokush ka të drejtë të jetojë me punën e tij, brenda rregullave të cilat vetë shteti ka vendosur. Nëse biznesi nuk i plotëson këto rregulla, shteti është ai që ka vendosur edhe sanksionet, që në rastin e protokolleve anti-Covid janë tepër të ashpra. Këtu vijmë te pjesa e detyrimeve që ka shteti. Që nga dita e parë e hapjes deri tani ne nuk kemi parë asnjë kontroll serioz në terren ku të verifikohet respektimi i protokolleve. Në kronikat e shumta televizive, ka pasur shumë reklamë se protokollet po zbatohen, sidomos gjatë vijës bregdetare. Për këtë arsye, videot e koncerteve natën ku shkelen rregullat dhe që hidhen në rrjet nuk janë justifikim për shtetin që të mbyllë aktivitetin e këtyre bizneseve, kur videot reklamë që bën vetë shteti ditën thotë se rregullat zbatohen.
Dikush mund të thotë se nuk mundet që shteti të kontrollojë çdo natë se cili lokal është i rregullt dhe cili jo, kjo punë nuk funksion me polic për çdo biznes. Kjo është e vërtetë, por rregulli mbahet me besim, dhe kur ka humbur besimi, secili mendon dhe bën siç di vetë.
A ka humbur besimi?
Patjetër që po, tani qytetarët nuk kanë më besim te shteti dhe rregullat e tij. Nuk kanë më besim se nuk kanë parë që shteti pas hapjes të ndërmarrë masa njësoj për të gjithë. Madje, nuk ka marrë thuajse fare masa. Nuk është masë procedimi i një lokali të humbur për shkelje të protokolleve, kur ai thjesht ka ndjekur rrjedhën duke parë se asnjëri nuk i respekton më masat dhe kur i forti dhe ai që ka veç biznesit edhe pushtet bën ligjin e shkel çdo normë, kur ai që është për mbijetesë duhet të ketë frikën se një ditë një inspektor i radhës do ti vijë në derë për ti vënë gjobë.
Pabarazia ndaj ligjit është njëra gjë ndaj ka revoltë. Tjetra është fuqia e shembullit. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qeveria ngriti një task-forcë dhe në pikun e sezonit turistik këputi të gjithë bizneset që gjente pa kasë fiskale, pa dallim. Një aksion që të paktën bëri disa shembuj tek të mëdhenjtë dhe të fortët që evazionin fiskal e shihnin si normalitet sepse kishte vite që asnjë inspektor tatimor nuk u shkelte në derë, veçse vetëm për t’u marrë “kafen”. Atëherë kur askush nuk e besonte, shumë lokale, bare, restorante, ndërmarrje dhe institucione u gjobitën në mënyrë që ligji i duhanit të kthehej normalitet. Shembujt janë dhe shteti ka mundësi të vendosë rregull përmes shembullit tek më i forti, i cili është thuajse gjithmonë ai që e shkel ligjin. Nuk janë shumë diskot dhe pubet e Tiranës apo jugut të vendit ku zhvillohet jeta e natës. Në Tiranë, ku movida mbledh të rinjtë natën si mizat mjafton një gjysmë ore për të bërë kontrollin dhe për të vendosur gjoba apo mbyllur aktivitetin nëse bizneset kapen në shkelje të çdo rregulli, ashtu siç e ka ligji.
Në këtë mënyrë mësojnë që të gjithë t’i respektojnë aktet normative dhe ligjet e shtetit. Por ky është rasti i një shteti që është i drejtë me të gjithë dhe ku nuk sheh asnjë në fytyrë, i pasur apo i varfër, i madh apo i vogël, me apo pa pushtet, jo i një shteti që me veprimet dhe mosveprimet e tij, rrezikon më shumë se lokalet përhapjen e virusit.
Le t’i kthejmë shtetin qytetarit dhe do të shohim që asnjë nuk do të marrë më guximin të dalë të kërkojë qiqra në hell përpara Kryeministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë