Ekonomi

Kthimi nga rezerva valutore u ul me 0.02% në 2020

Sipas Bankës së Shqipërisë, rezerva valutore ka pësuar një rënie të lehtë duke u ulur në nivelin 0.69% përgjatë 2020 nga 0.71% që ishte në vitin 2019.

Në analizën e BSH-së,  nivelet e ulëta të kthimit absolut të rezervës valutore pasqyrojnë vijueshmërinë e një mjedisi me norma të ulëta interesi në tregjet kryesore në të cilat investohet portofoli i rezervës valutore.

Normat e interesit për emetimet e thesarit në Euro, vijojnë të qëndrojnë në terren edhe më shumë negativ krahasuar me një vit më parë.

Për sa i takon investimeve në tituj në portofolin e euros, ato rezultojnë me një normë negative interesi që varion nga -4 pikë bazë deri në -76 pikë bazë.

Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore”, sidoqoftë, ka përcaktuar si objektiva parësorë të procesit të administrimit të rezervës likuiditetin dhe sigurinë. Sigurimi i të ardhurave përfaqëson objektivin e tretë, përsa kohë nuk cënohen objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë.

Rezerva valutore është e investuar në aktive likuide, kryesisht me afat maturimi 0 deri në 3 vjet. Megjithatë, pesha e instrumenteve të borxhit me afat mbi 5 vjet, është rritur dhe përfaqëson rreth 7% të portofolit të rezervës në mbyllje të vitit, kundrejt rreth që zinte 1% në vitin 2019.

Sipas BSH-së, në fund të vitit 2020 Euro përbënte  64.9% të rezervës valutore, e ndjekur nga Dollari amerikan me 19%.

Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore e Shqipërisë kishte vlerën e 3.94 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore të vendit u rrit 17.3% me bazë vjetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë