Analize

‘Kthimi në Kosovë i 200 mijë serbëve të zhvendosur nga lufta mund të marrë përmasat e një kolonizimi’

Nga Megi Iskurti-draft-statutin e fundit për Asociacionin, mes elementeve më shqetësues që mund të kthehen në instrumente të keqpërdorimit politik, evidentohet edhe kthimi i të zhvendosurve që prej luftës.

Kjo pikë e draftit që stimulon kthimin e serbëve në Kosovë, edhe atyre që prej gati dy dekadash kontribuojnë dhe janë pozicionuar në Serbi, duket si një “katalizator” për t’i rikthyer ata thuajse me imponim.

Ndonëse nuk ka ende shifra zyrtare se sa prej tyre kanë ikur me forcat serbe, sa janë dëbuar dhe sa prej tyre kanë shitur ilegalisht shtëpitë, Serbia flet për më shumë se 200 mijë serbë të zhvendosur nga “Kosova e Metohia”. Mesatarisht, rreth 55 mijë familje.

Referuar Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, bëhet fjalë për 88 mijë persona të zhvendosur në Serbi.

Për Burim Ramadanin, Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) i cili publikoi ekskluzivisht draftin e mbajtur diskret si nga qeveria e Kosovës, e Serbisë dhe Bashkimi Europian, mundësia që Asociacioni të merret me kthimin e tyre paraqet shqetësim.

Ndonëse sipas tij askush në Kosovë nuk është nuk është kundër kthimit të të zhvendosurve apo edhe të shpërngulurve, ekziston mundësia që kjo të marrë përmasat e një “kolonizimi”.

“Nëse kjo kompetencë i mbetet në një formë Asociacionit, duke e bashkuar me kompetencën për ndërtimin e Banesave Sociale, atëherë rreziku për keqpërdorim të skajshëm të kësaj është vërtetë rrezik real dhe i papranueshëm”, deklaron ai për Gazetasi.al. ndërsa shton se kjo duhet të bëhet në përputhje me sundimin e ligjit dhe kontekstin e vendimmarrjes qendrore të Kosovës.

“Të mos harrojmë se Serbia vazhdimisht ka fryrë listat e të shpërngulurve. Madje pretendon padrejtësisht që kjo listë kalon numrin prej 200 mijë njerëzve. Prandaj, për mua – ndoshta edhe si lexim i parë i draftit – ky element paraqet shqetësim”, thekson ai mandej ndërsa shton se duhet të analizohen të gjitha aspektet e dimensionit politik të tij nëse ai jetësohet.

Kthimi i të zhvendosurve mund të marrë përmasat e “një kolonizimi”

Elementet e tjera që ngjallin shqetësim

Ndër pikat e tjera kyçe që mund të jenë problematike për zbatimin në praktikë, Ramadani vëren për Gazetasi.al edhe faktin që Asociacioni do ketë rol jashtë komunave anëtare në të cilën jeton komuniteti serb.

Kjo do të shoqërohet sipas tij me zvogëlim të ndjenjës së serbëve të Kosovës që të integrohen në shoqërinë kosovare. Gjë, që thekson se është në kundërshtim me frymën kushtetuese të qeverisë së Kosovës për integrim.

“Sikur Kosova të përfitojë njohjen nga Serbia, anëtarësimin në NATO dhe përmbylljen e dialogut në Bruksel, atëherë normalisht se konteksti do të ishte më ndryshe. Më pozitiv për Kosovën dhe rajonin.

Por elementet e parashikuara në këtë draft nënkuptojnë mundësinë që serbët e Kosovës të mos integrohen kurrë brenda shoqërisë kosovare sepse Asociacioni do të ishte i mjaftueshëm për këtë fazë për ta”, deklaron ai për Gazetasi.al dhe shton se sëbashku me qëllimet e Serbisë për defunskionalizimin e shtetit të Kosovës, atëherë kërkesa e radhës pas Asociacionit do të ishin kompetencat në siguri, drejtësi dhe nxjerrje të ligjeve.

Elementi i tretë që Ramadani gjithashtu evidenton si shqetësues është edhe fakti që Asociacioni ka kompetenca ekskluzive për arsimin, shëndetësinë, kujdesin social edhe grumbullimin e fondeve të cilat janë të drejtëpërdrejta nga Serbia por edhe nga burime të tjera.

“Rjedhimisht shumë lehtë mund të mblidhen fonde edhe nga Kina, Irani apo shtetet e tjera për të cilat do duhej që të ketë një filtër shumë të thellë të insituticioneve qendrore të Kosovës”, vëren ai.

Ramadani shton se ky draft-statut është derivat i Marrëveshjes së vitit 2013 dhe tani i mbetet në dorë Gjykatës Kushtetuese të definojë nëse ai është në përputhje me Kushtetutën apo nëse e ka tejkaluar këtë marrëveshje. 

Sipas draftit, selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicë të Veriut. Asociacioni do të ketë personalitet juridik dhe do të krijojë simbolet e veta zyrtare, të cilat mund të përbëhen nga një flamur dhe një stemë.

Ai ka deklaruar me bindje se dokumenti që ka publikuar është autentik dhe është pikërisht ai që ka në duar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Tregues dhe kontribut të shtuar në besueshmëri ka dhënë sipas tij edhe mungesa e reagimit nga qeveria e Kosovës apo Bashkimit Europian për ta mohuar këtë draft apo përmbajtjen e tij.

Draft-statuti i ri për Asociacionin iu propozua Kosovës dhe Serbisë nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitave të tyre në Prishtinë dhe Beograd (21 tetor).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç u takuan më 26 tetor në Bruksel për të shqyrtuar këtë propozim. Ata zhvilluan takime të ndara me udhëheqësit e BE-së por këto përpjekje të tyre përfunduan pa rezultat.

Kurti deklaroi se drafti ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ishte i gatshëm të firmoste ndërsa Vuçiç refuzoi ta nënshkruante. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, përmes një deklarate, i fajësoi të dy liderat duke nënvizuar se ata erdhën me kushte të reja në takim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë