Filma

‘Kthimi i ushtrisë së vdekur’, së shpejti premiera e filmit të restaurua

Projekti i radhës i restaurimit sa i përket filmave të kinematografisë shqiptare të para viteve `90, është “Kthimi i ushtrisë së vdekur”. Filmi, me një kast emrash nga më të shquarit e artit shqiptar, mban firmën e të madhit Anagnosti dhe është prodhim i vitit 1989.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunimin me laboratorin Augustus Color vjen me këtë projekt në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të vendit, si një homazh për njeriun; për ata që luftuan, ata që vuajtën pasojat e luftës dhe për ata që ranë duke mbrojtur kauzat e atdheut.

Premiera e variantit të restauruar të filmit do të mbahet më 25 nëntor 2024, në Kinema Millennium, Tiranë.

Filmi, me skenar e regji të Dhimitër Anagnostit, bazohet mbi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Kompozitori i filmit është Gjon Simoni, operator Bardhyl Martiniani, piktor Kleo Nini e kostumografi nga Durim Neziri.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët e mirënjohur Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari etj. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë