Ne rrjet

Nga TikTok në UNESCO- Historia e re e shkrimit të dorës

Ka influencues që promovojnë shkrimin e dorës me miliona ndjekës. Ndërkohë që UNESCO nis projektin e ruajtjes dhe e nominon shkrimin me dorë si një trashëgimi jomateriale të njerëzimit.

Nga Gazeta Si- Zhvillon përqendrimin dhe kreativitetin. Lufton lodhjen digjitale dhe mundëson memorizimin më të mirë të informacionit. Të shkruarit me stilolaps dhe letër, në një botë kryesisht të digjitalizuar, nuk është thjesht një modë e së kaluarës, por një ushtrim në shkathtësinë manuale dhe durimin për të përqendruar mendimin, shumë shpesh të shpërqendruar nga bombardimi i imazheve në lëvizje. Dhe gjithashtu një mënyrë për t’u dalluar: një shënim i shkruar me dorë është aq i rrallë saqë padyshim ngulitet në kujtesë më shumë sesa një mesazh i nxituar në WhatsApp.

Një projekt për ruajtjen e shkrimit me dorë sapo është paraqitur në UNESCO. Një mbledhje publike nënshkrimesh ka filluar me qëllim nominimin e shkrimit me dorë si një trashëgimi jomateriale e njeëzimit. Komiteti Promovues i iniciativës është formuar, ndër të tjera, nga Instituti Grafologjik Moretti i Urbinos, Shoqata Italiane e Grafologëve dhe Ossmed, Observatori i Ndërmjetësimit Gjuhësor.

Debati mbi nevojën për të mësuar përsëri shkrimin me dorë në shkollën fillore është i gjallë në botë dhe në Itali, ku edicioni i tretë i festivalit ‘Manu Scribere’, i promovuar nga Shoqata Italiane e Grafologjisë, u mbajt në Bolonjë në fund të shtatorit. Në Kaliforni, kthimi në shkrimin me dorë për afërsisht 2.6 milion nxënës midis moshës gjashtë dhe dymbëdhjetë vjeç, është bërë kohët e fundit ligj, ndërsa një studim i kohëve të fundit nga një grup neuroshkencëtarësh në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë ka treguar se si shkrimi me dorë zgjeron dhe intensifikon lidhjet e trurit dhe ndihmon memorizimin.

Një nga stilolapsat më të çmuar në Koleksionin më të famshëm të markës Pineider quhet, jo çuditërisht, Psycho, për të evokuar kompleksitetin e psikikës njerëzore. Në ngjyrë argjendi me majë ari, ka një dizajn të ndërlikuar labirinti dhe gjysmëtransparent të endur.

Një modë, ajo e kthimit te stilolapsi? Gjithashtu, shpërtheu edhe në platformat digjitale. TikTok pa një rritje prej 63 për qind në vitin 2024 për hashtagun #calligraphy, dhe influencues të shkrimit si vietnamezi Nhuan Dao dhe peruania Paola Gallegos kanë midis 2 dhe 9 milionë ndjekës.

Aldo Iotti, mjeshtër kaligrafi thotë se të mësuarit e këtij arti është një ushtrim durimi, kërkon kohë dhe qetësi dhe, “ashtu si kur isha në shkollën fillore, duhet të fillosh nga fillimi, për të mësuar format dhe proporcionet”.

Iotti u jep pjesëmarrësve kalamusin, një majë standarde që duhet të ndryshohet sipas lëvizjes dhe presionit të secilit person mbi letër; sepse, dhe madje edhe këtu në një botë të standardizuar kjo është një risi e këndshme, asnjë dorëshkrim nuk është krejtësisht identik.

Ata në Aurora, një markë historike shkrimi në Itali, të cilët gjithmonë janë përqendruar në personalizim, e dinë mirë këtë. Marka, e cila krenohet midis kryeveprave të saj me Hastil-in e projektuar nga Marco Zanuso dhe të ekspozuar në MoMA në Nju Jork, ka krijuar dhe menaxhon Officina della Scrittura, pranë Torinos, një muze që ofron kurse në grafologji dhe psikologji, dhe rrëfen gjithçka që lidhet me kulturën e shkrimit dhe shkrimin me shenja, nga pikturat në shpella te pllakat.

Mania më e fundit për koleksionistët? Linja Diamond, dy topa verbues me 1,919 gurë të çertifikuar: një instrument shkrimi që është një vepër arti mbi 30 karatësh.

Një safir zbukuron gjithashtu majën e bardhë të plotë prej ari të Montblanc Meisterstuck Inspire Calligraphy Limited Edition 88, e cila u lancua në shtator për të festuar këtë stilolaps ikonik, i cili u rikthye gjithashtu në një reklamë të shkurtër të nënshkruar nga Ëes Anderson. Forma e majës, me skaje më të mprehta dhe më pak të rrumbullakosura se standardi, është projektuar posaçërisht për praktikimin e artit të kaligrafisë.

Stilolapsa të mrekullueshëm me xhevahire që zbukurojnë vijën, ndoshta për t’u përdorur me atë që njihet si boja më e shtrenjtë në botë, boja japoneze sumi. Duhen katër vjet për t’u prodhuar, është në formë të ngurtë dhe, për një sasi 200 gramësh, mund të shpenzoni mbi një mijë dollarë. Asgjë nuk krahasohet me pigmentin vjollcë që gjendet në rrënojat e banjove romake që datojnë që nga shekulli i 3-të pas Krishtit në Carlisle, Angli. Kjo është e ashtuquajtura ‘vjollcë tiriane’, një bojë e marrë nga mijëra guaska të grimcuara nga Mesdheu, veçanërisht nga bregu i Marokut, e cila në atë kohë ishte më e shtrenjtë se ari për shkak të procesit të vështirë të prodhimit.

Pasi të jenë zgjedhur stilolapsi dhe boja, provat neokaligrafike kanë nevojë për mbështetjen e duhur. Një klasik i shkëlqyer që mban erë të ditëve të hershme të shkollës është Fabriano, i cili feston 760-vjetorin e tij këtë vit. Carta Medioevalis e saj ka qenë për më shumë se një shekull letra më e çmuar për korrespondencë, kartolina dhe ftesa, por edhe për vizatim. Katër skaje të patëmetë të marra me anë të grisjes manuale të fijes së perit që tretët në ujë dhe dy ngjyra, fildishi dhe e bardha origjinale, plotësisht natyrale.

Burimi: Il Sole 24. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë