Politike

Kthimi i menjëhershëm i emigrantëve ilegalë nga Anglia, Rama firmos me Sunak: Detajet e paktit nga Task Forca te operacionet ndaj rrjeteve kriminale

Qeveria britanike dhe shqiptare kanë firmosur një marrëveshje për kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë të jashtëligjshëm. Zyra e qeverisë britanike ka publikuar një deklaratë të përbashkët të dy kryeministrave Edi Ramës dhe Risi Sunak që synon ndërhyrjen e mënjehershme dhe zgjidhjen e çështjes së emigrantëve të paligjshëm që shkojnë në Angli nëpërmjet kanalit të La Manshit.

“Shqipëria është një vend negociues për anëtarësimin në BE dhe një partner i besuar në organizatat ndërkombëtare. Duke njohur progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit nëpërmjet zbatimit të reformës së thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, Britania e Madhe e njeh Shqipërinë si një vend të sigurt të origjinës sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët Rama-Sunak.

Në deklaratë më tej theksohet se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria do të forcojnë më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyer operacional për zbatimin e ligjit, me objektivin e parandalimit dhe ndërprerjes së migracionit të paligjshëm dhe depërtimit në rrjetet kriminale. Me këtë objektiv, dy qeveritë do të formojnë një Task Forcë të Përbashkët në nivel të Ministrisë së Brendshme/Zyra e Brendshme.

“Ne do të forcojmë bashkëpunimin MB/Shqipëri në nivel operacional, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, ndarjen efektive të të dhënave dhe më shumë ekipe të përbashkëta operacionale. Kjo Task Forcë e Përbashkët mund të mbështetet nga një komitet ekspertësh, të përzgjedhur nga Ministria e Brendshme/Zyra e Brendshme; Të dyja palët angazhohen të mbajnë dialog të rregullt për hapat e ardhshëm praktik; Britania e Madhe do të ofrojë mbështetje shtesë për Qeverinë e Shqipërisë dhe organizatat në lidhje me shërbimet e mbrojtjes dhe riintegrimit për të mbështetur të kthyerit”, thuhet më tej.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, si nënshkruese të ECAT dhe ECHR dhe në njohjen e një përpjekjeje të përbashkët për të trajtuar migracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore, në përputhje me dhe me qëllim të maksimizimit të zbatimit të marrëveshjes së ripranimit Mbreteri e Bashkuar-Shqipëri, do të rrisin kthimet në Shqipëri duke përfshirë ato mbi 18 vjeç, të cilët janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne (siç përcaktohet në legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar) dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (siç përcaktohet në legjislacionin shqiptar). 

Në lidhje me kthimin e emigrantëve të paligjshëm, të dyja palët theksojnë rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit ndërmjet dy vendeve. Pas kthimit në Shqipëri, çdo nevojë për mbështetje që lind për atë individ dhe mbrojtje nga ritrafikimi, do të jetë e disponueshme siç përcaktohet në ECAT.

“Duke shprehur vullnetin e dy kryeministrave për të përmbushur detyrimet që rrjedhin si nga ligji ndërkombëtar ashtu edhe ai dypalësh, me synimin për të reduktuar migrimin e paligjshëm dhe për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, të dyja palët angazhohen për të ndarë në mënyrë më efektive informacionin në mënyrë të sigurt, duke përfshirë informacionin personal, për qëllimet për të qenë në gjendje për të identifikuar me saktësi një të kthyer dhe për të marrë vendime në lidhje me atë individ me qëllim të sigurimit të pajtueshmërisë me ligjin ndërkombëtar dhe për qëllimin e monitorimit të performancës, duke përfshirë respektimin e detyrimeve përkatëse ligjore ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi këtë të Enjte, arritjen e marrëveshjes së re me Shqipërinë gjatë një fjalimi para parlamentit. Ai tha se marrëveshja nis synon t’i jap fund dyndjes së emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt Britanisë së Madhe. 

“Muajt e ardhshëm, mijëra shqiptarë do të rikthehen në vendin e origjinës. Do të vazhdojmë me fluturimet e përjavshme të kthimit deri kur të kthehen të gjithë ata që nuk meritojnë të qëndrojnë”, tha Sunak. Emigrantët e paligjshëm ishin kthyer në problem shqetësues në Angli. Për këtë çështje pati edhe mjaft deklarata polemizuese ndërmjet dy vendeve për shkak të qëndrimit të mbajtur nga ana e ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman. Ajo cilësoi shqiptarët si pushtues edhe kriminelë. Këtyre deklaratave iu kundërpërgjigj kryeministri Edi Rama që i cilësoi si të papranueshme.  Telefonata e 1 dhjetorit me dy kryeministrave Sunak dhe Rama zbuti disi situatën e tensionuar ndërmjet dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë