Keshilla

Kthimi i fëmijëve në kopshte: Të kujdesemi edhe për mirëqenien e tyre emocionale

Pandemia e Covid-19 krijoi një kaos të madh në të gjithë botën. Por më së shumti kjo gjendje ka prekur dhe fëmijët, e sidomos ata në çerdhe dhe kopshte. Ata janë të vegjël dhe nuk i kuptojnë rregullat. Duke qenë se për një kohë të gjatë kanë qëndruar të mbyllur dhe gjatë gjithë kohës bashkë me prindërit, për ta rikthimi në normalitet është diçka më e vështirë se sa për ne të rriturit.
Psikologia e fëmijëve Lorela Garuli thotë për Gazetën “Si” se rikthimi në çerdhe dhe në kopshte është një nga hapat më të rëndësishme për sa i përket kthimit në normalitet, për jetën e fëmijëve.
“Ashtu si ne të rriturit kush më shpejt kush më ngadalë i jemi kthyer normalitetit edhe punëve në vendet tona të punës, kështu që edhe për fëmijët është e rëndësishme kjo. Mirë po nuk është një situatë e zakonshme kjo që ka kaluar, fëmijët kanë nevojë që të parapërgatiten për këtë dhe unë uroj shumë që gjatë këtyre ditëve që kur është marrë lajmi që më përpara, familjet kanë pasur kohë t’i përgatisin fëmijët psikologjikisht për rikthimin e tyre në kopshte dhe në çerdhe,” shprehet Garuli.

Lorela Garuli

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tregoi para dy ditësh protokollin e hapjes së çerdheve dhe kopshteve, nën rregulla strikte. Ministrja Manastirliu bëri me dije se si të gjitha protokollet e tjera, edhe ky protokoll duhet të respektohet rreptësisht.
Sipas masave paraprake, fëmijët nuk lejohet që ti çojnë gjyshërit, por vetëm njëri nga prindërit, i cili duhet që të qëndrojë jashtë ambienteve dhe nuk lejohet që të futet brenda. Fëmijën e merr edukatorja. Në momentin e hyrjes dhe daljes fëmijët pastrojnë duart.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.
“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit“, tha Manastirliu.
Gjithashtu edhe psikologia Garuli e mbështet faktin se është shumë e rëndësishme, që fëmijëve t’u shpjegohet që do të kthehen në çerdhe dhe në kopsht, por kontaktet fizike dhe distancat fizike nuk do jenë të njëjta, si kemi mësuar që nga fillimi i kësaj epidemie. Sipas psikologes kjo është një mënyrë për t’i siguruar.
Fëmijët parashkollorë janë më të prekurit nga kjo situatë sepse ata e kanë pasur më të vështirë të kuptojnë se çfarë po ndodh gjatë pandemisë.

Psikologja Garuli shprehet se është e rëndësishme që fëmijëve t’u shpjegohen edhe arsyet pse prindërit kanë shkuar në punë, pasi sipas saj në këtë periudhë diçka tjetër e rëndësishme është edhe ekuilibri dinamik, sepse fëmijët ishin mësuar të qëndronin gjatë gjithë kohës në shtëpi me prindërit.
“Diçka tjetër shumë e rëndësishme është që shumë prej fëmijëve, përfshi këtu edhe ata më të rriturit , pavarësisht se nuk do të kthehen në shkolla, i ka marrë malli të jenë në ambientet e kopshteve dhe shkollave. Një sugjerim tjetër do të vinte për edukatoret, për mësuesit është që nuk është ky momenti për t’i kushtuar rëndësi të madhe asaj që ata mësojnë se sa marrëdhënieve të shëndetshme sociale dhe emocionale që fëmijët kanë me njëri- tjetrin. Shumë prej tyre i ka marrë malli për t’u rikthyer por jo për përgjegjësitë se sa i ka marrë malli për njëri tjetrin. Është e rëndësishme që në kopsht të laborohet kjo pjesa e emocioneve të kaluara dhe psikologët e kopshteve duhet të merren me këtë pjesë për t’u siguruar që nuk kanë mbetur trauma apo frikë tek fëmijët,” shprehet Garuli.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë