Futboll

Ksavi e pranon: Nëse s’mund Interin në shtëpi, meriton të dalësh nga Championsi

Gazeta Si – Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, është mjaft i zhgënjyer nga të tijtë, por nuk kërkon të gjejë justifikime. Barazimi me Interin do të thotë eliminim nga Liga e Kampionëve dhe kalim në Ligën e Europës.

“Pjesa e parë ishte e shkëlqyer, në të dytën bëmë shumë gabime, si në rastin e golit të barazimit që na goditi fort mendërisht, ashtu edhe në rastin e golit të dytë të pësuar. Këto gabime kanë kosto, u munduam të tregonim karakter, por nuk ia dolëm.

Zhgenjimi i Dembele pas barazimit 3-3 me Interin. Gazeta Si, 13 tetor 2022

Nëse nuk je në gjendje të mundësh Interin në fushën tënde, nuk meriton ta kalosh turin në Ligën e Kampionëve. Ka ende mundësi matematikore kualifikimi, por nuk varet më nga ne. Ka vetëm një fije shprese, por e përsëris, gabimet në Champions paguhen shtrenjtë”, – ka theksuar Ksavi.

Kritikat më të mëdha për dështimin e Barcelonës i janë adresuar mbrojtjes, që ishte në një ditë të errët. “Jemi një grup. Nëse gabon mbrojtja, gaboj edhe unë. Kishim folur para ndeshjes për depërtimet e Barelës, por nuk ruajtëm përqendrimin gjatë gjithë kohës.

Në përgjithësi do të thosha se kemi lënë të na ikin nga duart ndeshjet në Mynih dhe në Milano për gabimet tona. Nëse do të shkojmë në Ligën e Europës, është për dobësitë tona”, – shtoi më tej trajneri katalanas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë