Nga Gazeta “SI”– “Nga bohemizmi te përjetësia” titullohet ekspozita më e fundit e hapur në ambientet e qendrës COD, pranë kryeministrisë.
Që nga impresionsitët Amedeo Modigliani e Marcele Lleonit, te favistët, Louis Valtat, Maurice Vlaminck, Auguste Herbin, Jean Metzinger, e deri tek avantgardët hungarezë dhe gjermanë si Bella Kadarin, Lajos Tihanin, Hugo Schneiber, Boris Kleint, Oscar Moll , kjo hapësirë është shndërruar në shtëpinë e disa prej veprave më të rralla në historinë e pikturës.

Kryesisht piktura të fund shekullit të 19-të dhe fillim shekullit të 20-të, koleksioni përmban vepra pa të cilat historia moderne e pikturës nuk do të kishte kuptim.

Ana Bjarne dhe kryevepra e Modiglianit
Ana Bjarne, një vajzë e re suedeze e cila së bashku me mikun e saj Thore Klinkowstorn frekuentonte Kafenë “De la Rotonde” në Parisin e fillim shekullit të njëzetë, nuk e dinte se në një nga ditët e saj fatlume do të takonte një piktor, i cili quhej Amedeo Modgliani.

Piktori i magjepsur nga bukuria e saj, e fton Anan, në studion e tij “Rue de la grande Chamuiere” në Montparnasse, dhe i realizon një pikturë, vetëm një vit para se Amedeo Modigliani të ndërronte jetë nga menengjiti.
Me kokën e anuar anash, dhe sytë e gropëzuar, një teknikë e njohur kjo e Modiglianit në vitet e fundit të jetës së tij, piktura do të kthehej në një nga veprat më të njohura në botë të impresionizmit.

Kjo pikturë e famshme ndërkombëtarisht është një nga veprat e rralla qe vjen per here të parë në Tiranë, pjesë e koleksionit izraelit “M.T.A”
Edgar Degas, skulptori i balerinave
Egar Degas një nga impresionsitët më njohur të shekullit të 20-të kishte si fokus të punës së tij, balerinat e Operas së Parisit. I joshur nga magjia e lëvizjeve të tyre por dhe banalizimi me të cilin etiketoheshin ato në fillim të shekullit të njëzetë, ai i dedikoi mbi 1500 vepra në pikutrë balerinave dhe mbi 50 në skulpturë ku më e famshmja është “Balerina e vogël katërmbëdhjetë vjeçare” e ekspozuar dhe në hollin e COD.

E krijuar në vitin 1881 me dyllë blete, argjilë, dru dhe materiale të pazakonta si furça dhe tuba plumbi, ajo përfaqëson balerinën e re Marie van Goethem.
Fillimisht u përçmua nga kritika si e shëmtuar dhe tronditëse, por pas vdekjes së Degas në 1917, trashëgimtarët e tij porositën kopje në bronz, që sot ndodhen në muze anembanë botës. Me kalimin e kohës, vepra kaloi nga refuzimi për mungesë estetike në ikonë, duke u vlerësuar si një kryevepër e vëzhgimit të lëvizjes dhe trupit njerëzor nga një artist që punonte pa u ngopur kurrë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fundin e muajit Maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.