Motosport

Kryevepër e Maks Vershtapen në Hungari, titulli në ‘kasafortë’

Gazeta Si – Kampioni i botës, Maks Vershtapen, e nisi nga vendi i 10-të garën e Hungarisë dhe e kaloi i pari finishin. Një kryevëpër e holandezit, me një rikuperim të jashtëzakonshëm.

Për Maks Vershtapen ishte fitorja e 8-të e sezonit. Në pod janë ngjitur edhe dy makinat Mercedes, Hemilton i dyti dhe Rasëll i treti. Ferrari në vështirësi me strategjitë, Sainz në vend të 4-t dhe Leklerk në vend të 6-të, që do të thotë se humb edhe shpresat e fundit për titull.

Ishte vërtet një kryevepër ajo e Vershtapen, që i lë të gjithë të heshtur. Një paraqitje për t’u mbajtur mend. Holandezi, me një skuadër perfekte, ‘vrau’ garën, të gjithë kundërshtarët dhe sidomos dy ferraristës, si dhe gjithë sezonin. Ishte fitorja më impresionuese për kampionin e botës.

U nis nga vendi i 10-të për shkak të problemeve të makinës të shtunën. Madje edhe me një rrotullim në garë, por ai gjeti menjëherë trajektoren dhe u rinis më fuqishëm se më parë.

Maks Vershtapen kalon i pari finishin në Hungari. Gazeta Si, 31 korrik 2022

Ka edhe një lajm tjetër të keq për Ferrarin. Dy makinat Mercedes që mund të ktheheshin kompetitive, me shpresën për t’i marrë pikë Vershtapenit, janë bërë vërtet të tilla papritur. Por pikët në fakt ia kanë marrë Ferrarit. I njëjti pod si në Francë. Duhet theksuar se këtë herë Hemilton u nis i 7-i.

Për Vershtapen është fitorja numër 28 në karrierë. “Shpresoja t’i afrohesha podit, por fitores ndoshta jo. Nuk e kisha menduar. Edhe me një rrotullim 360 gradë ia dola të fitoj”, – ka thënë holandezi pas garës. Vërtet një kryevepër.

Botërori udhëhiqet nga Maks Vershtapen me 258 pikë, Leklerk është pas tij me 178 pikë. Diferenca është 80 pikë, shumë e madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë