Drejtësia

Kryetarja e KLP raporton në Kuvend: Kreu i ri i SPAK do zgjidhet në fillim të dhjetorit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani i është përgjigjur pyetjeve të paraqitura nga opozita gjatë raportimit në Kuvend.

E pyetur për  procedurat për krerët e rinj të SPAK dhe BKH-së, ajo tha se procesi për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të BKH pritet të përfundojë deri më 10 nëntor, ndërsa kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme pritet të zgjidhet në fillim të dhjetorit.

Bogdani evidentoi edhe vakancat në institucion, duke bërë me dije se aktualisht KLP përbëhet nga 218 prokurorë nga 341 që parashikohen në sistem.

Një pyetje me interes të lartë, ishte ajo për draftin e Kodit të ri Penal ku Bogdani tha se është vendosur ngritja e një grupi të specializuar me qëllim shqyrtimin dispozitave të veçanta në kodin e propozuar.

“Ky është akt voluminoz, janë diku rreth 900 e ca nene. Nga këshilli është diskutuar kjo çështje. Nuk kemi pasur kohën e nevojshme për të hyrë në detaje. Kemi vendosur që sapo të plotësojmë detyrat e shtëpisë nga BE, do t’i dedikohemi krijimit të një grupi pune që të bëjë një oponencë të specializuar lidhur me dispozita të vecanta të Kodit. Këshilli nuk ka dashur të japë një përgjigje të thatë”, tha Bogdani.

Ajo u përgjigj edhe për akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, lidhur me një vendimmarrje të saj për mosfillimin e procedimit penal për një ndërtim të pretenduar pa leje në Theth.

Sipas Bogdanit të gjitha proceset mund të komentohen, natyrisht brenda kuadrit etik”.

“Të gjithë mund të komentojnë! Cili quhet presion?!”, u përgjigj ajo, teksa deputeti demokrat Bledion Nallbati e replikonte nga vendi.

“Nëse ju i perceptoni si sulme, për punën time apo të çdo lloj zyrtari, ne nuk jemi persona imunë, nëse jemi në një funksion publik, duhet ta kesh lëkurën pak më të trashë, deri në çfarë mase ndihet pastaj prokurori i rrezikuar kjo duhet diskutuar”, i tha Bogdani deputetit.

Lidhur me akuzat në drejtim të prokurorit Ols Dado, tha se Këshilli ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

Ndërsa për impaktin e hartës së re gjyqësore, ajo deklaroi se nuk kanë ende gati një studim për shkak të ngarkesës në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve.

“E kemi pasur të pamundur të vlerësojmë se si është zbatuar harta e re, besoj vitin pasardhës do të ngremë një grup pune edhe me KLGJ-në, që ta adresojmë si çështje”, u përgjigj Bogdani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë