Gazeta Si – Për rreth një orë, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka qëndruar në zyrat e SPAK-ut këtë të premte, por ai nuk ka pranuar të japë shpjegime të qarta pse u paraqit.
I pyetur nga mediat për praninë tij në Prokurorinë e Posaçme, ai tha se arsyen dëshiron ta lërë “kuriozitet mediatik”.
“Nuk më thirri njeri në SPAK dhe nuk bëra denoncim. Për ato që u thanë aty, pyesni SPAK”, është shprehur kryebashkiaku Leli.
Burime paraprake, shprehen se kryebashkiaku i Vlorës mund të ketë dhënë sqarime për një kallëzim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH, disa javë më parë, gjatë inspektimeve ka denoncuar abuzime me pronat në qytetin bregdetar.
Më herët, kryeministri Edi Rama e sulmoi hapur Lelin për mbarëvajtjen e punës dhe çështjes së pastrimit në Vlorë gjatë një takimi me kryebashkiakët socialistë në Pogradec.
“Kemi bashki si Vlora, që ka pasur një vëmendje të veçantë me të drejtën nga qeveria, por që ka një kryetar bashkie që fle gjumë. Vlora me gjithë potencialin dhe mbështetjen, nuk duhej ta diskutonte të qenit xixë nga mëngjesi në mbrëmje. Minimalisht!”, tha Rama gjatë një takimi sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




