Analize

Kryesuesi i OSBE-së i dërguar special i Bashkimit Europian për Ballkanin?

Bashkimi Europian po mban bisedime intensive për gjetjen e një zyrtari të përshtatshëm për postin e ri të të Dërguarit Special për Ballkanin Perëndimor. Dhe deri më tani, ministri i Jashtëm sllovak Mirosllav Lajçak, një njohës i mirë i rajonit, shihet si kandidati më serioz

Mediat serbe, por edhe ato të rajonit, theksojnë se qëllimi i BE-së është që para së gjithash të zbusë ndikimin e SHBA në rajon dhe të punojë ngushtë më Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshje. Një detyrë po aq e rëndësishme e Përfaqësuesit të BE-së, do të jetë monitorimi i procesit të integrimit dhe reformave të ndërmarra nga vendet e rajonit.

Si njohës i mirë i situatës politike në Ballkan dhe një politikan me përvojë i cili tashmë ka kryer shumë detyra të rëndësishme në rajon, Lajçak, shihet si kandidati që i plotëson të gjitha kushtet. Ai është po ashtu Kryesues i OSBE-së.

Ai u sulmua ashër nga opozita dhe mediat pro saj në Tiranë pasi i doli në mbrojtje ambasadorit të OSBE Bernd Boschard, pasi ky i fundit ofendoi rëndë protestuesit e Astirit. Por Lajcak mbrojti punën e bërë nga Boschard, duke thënë se Ambasadori i OSBE-së ndodhej nën presion. Ai dënoi po ashtu sulmin e bërë ndaj ambasadorit Boschard, pas protestës së 11 Majit, ku disa të rinj të PD-së shkruan “Boshard shame on you” para shtëpisë së tij, duke u sulmuar sërish nga opozita. Por raportet e medieve të rajonit, sugjerojnë se Lajcak është vetëm një hap përpara konfirmimit si i dërguari special i BE-së në Ballkan.

Miroslav Lajçak dhe Gent Cakaj. Gazeta Si, 2019

Duke përmendur burime të mirë-informuara, gazeta serbe “Vecernje Novosti" shkruan se Lajçak pati një takim shumë të rëndësishëm dy-orësh me Ministrin e Jashtëm Europian Josep Borrell në Bruksel në fillim të kësaj jave, i cili u mbajt larg nga syri i publikut.

"SHBA. ka dy përfaqësues për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ne nuk kemi asnjë. Kjo është arsyeja pse na duhet një përfaqësues", tha, sipas burimeve, Lajçak pas takimit me Borrell, duke ngritur shqetësime për ritmi e ngadaltë të zgjerimit dhe distancimit të rajonit nga BE-ja.

Bisidimet për këtë post kanë nisur që në shtator, pas emërimit të Zotit Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Një rrethanë tjetër që çon në vendimin për emërimin e një të dërguari special europian është Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm i BE-së, Josep Borrell.

Ministri aktual i Jashtëm i Spanjës, dhe kryediplomati i ardhshëm europian, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai personalisht ka qenë shumë kritik. Megjithëse BE-ja pretendon të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës, burimet diplomatike të BE-së e konsiderojnë se pozicioni i Borrellit si një lehtësues ose ndërmjetës në dialog, është shumë i ndjeshëm.

Mediat në rajon shkruajnë se Franca dhe Gjermania po negociojnë një marrëveshje të mundshme në lidhje me emërimin e këtij zyrtari, i cili do të shërbente si i dërguar special i BE-së në rajon dhe mundësisht të jetë në krye të dialogut Beograd-Prishtinë.
“Radio Evropa e Lirë” dhe gazeta europiane “Politico” shkruajnë se Berlini zyrtar që po luan rolin kryesor në këtë iniciativë, dëshironte që i dërguari special të ishte nga Gjermania, por Franca nuk e ka mbështetur. Në mesin e këtyre bisedimeve, duke se Lajçak del si emër kompromisi.

Miroslav Lajçak dhe presidenti Ilir Meta

Por kush është Mirosllv Lajçak dhe sa ndikim ka ai në politikat e Ballkanit?

Me një karrierë të pasur dhe eksperiencë në institucionet e BE-së me fokus kryesor Ballkanin, sigurinë e brendshme dhe të jashtme të BE-së, Miroslav Lajçak është emri më i lakuar për postin e Përfaqësuesit special të BE-së në Ballkan. Qasja pro integrimit të Ballkanit në BE dhe qëndrimi kundër largimit të Britanisë janë disa nga tiparet që e karakterizojnë Lajçak si politikan, diplomat dhe aktor të rëndësishëm në arenën europiane dhe më gjerë. Miroslav Lajçak i lindur më 20 mars 1963 në qytetin Poprad në Sllovaki, ka një karrierë të gjatë si diplomat dhe përfaqësues jo vetëm i vendit të tij, por edhe i BE, Lajçak ka qëndruar në Beograd si Ambasadori i Sllovakisë në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe ka qenë mbikëqyrësi i referendumit të pavarësisë malazeze në vitin 2006. Në 30 qershor 2007 Lajçak u bë Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjë-Hercegovinës në BE, post që e mbajti deri në mars të vitit 2009. Në 26 janar 2009, ai u bë Ministri i Jashtëm i Sllovakisë në kabinetin e kryeministrit Robert Fico dhe në dhjetor 2010 u caktua si Drejtor Menaxhues i Ballkanit Perëndimor për Rusinë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Europian, deri në prill të vitit 2012.

“Besoj plotësisht te Bashkimi Europian dhe projekti Europian, pasi jam dëshmitar i ndryshimeve të mëdha që ka pësuar vendi im, por edhe jeta ime”, deklaroi ai në një takim të organizuar nga “German Marshall Fund”. Si një mbështetësi i flaktë i BE-së, vlerave dhe mesazheve që përcjell për të gjitha vendet e Europës, Lajçak ka qenë një nga kundërshtarët e Brexit. Për ministrin e jashtëm sllovak Europa duhet të vazhdojë me projektin e integrimit edhe pas daljes së Britanisë nga BE. Gjithashtu ai theksoi që duhet të ketë disa ndryshime thelbësore brenda BE-së për përballimin e situatave si: komunikimi më i mirë dhe direkt me qytetarët, ekonomia dhe qasje më e detajuar ndaj Greqisë dhe së ardhmes së Eurozonës. Me këtë ai thekson faktin që BE ka akoma shumë sfida për të zgjidhur dhe Brexit ishte vetëm një nga ato.

Ballkani ka qenë gjithmonë në vëmendjen e Miroslav Lajçak duke qenë që gjatë karrierës së tij ai ka qenë përfaqësues i BE-së në shtete si Bosnja & Hercegovina, përfaqësues i BE-së gjatë referendumit të pavarësisë në Mal të Zi apo edhe ambasador i Sllovakisë në Shqipëri. Për Lajçak, integrimi i mëtejshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një element i rëndësishëm. Për Lajçak procesi i integrimit duhet të vazhdojë përpara pasi nuk ka alternativë tjetër. Në një intervistë për “Western Balkans Journal” ai është shprehur se pret që Ballkani Perëndimor të arrijë suksesin në këtë proces, dhe garantonte që roli i Sllovakisë do të jetë ai i një ndërmjetësi të pavarur dhe të paanshëm.

Miroslav Lajçak, Gazeta Si, 2019

Së bashku me tre ministria të Jashtëm të Bashkimit Europian, Lajçak ka bërë thirrje për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Ai nënshkroi një deklaratë së bashku me ministrin çek të Punëve të Jashtme Tomáš Petříček, ministrin hungarez Péter Szijjártó dhe ministrin polak, Jacek Czaputoëicz. Ai ka kërkuar që dy vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i hapen negociatat, pasi progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor sipas tyre është mbresëlënës.

“Sot, 16 vjet pas samitit të Selanikut, ne jemi të kënaqur të shohim se zgjerimi ka provuar të jetë një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor është mbresëlënës. Ata kanë transformuar ekonomitë, gjyqësorin, administratën publike dhe sigurinë”, thuhet në letrën e Lajçak dhe tre ministrave të Jashtëm të BE.

Ai ka theksuar vazhdimisht që edhe pse çdo vend në Ballkanin Perëndimor është në faza të ndryshme të procesit të integrimit, kjo nuk ka pse t’i pengojë ata për të punuar dhe për tu angazhuar për të arritur qëllimin e tyre final, duke eliminuar dyshimet dhe duke kaluar në fazat e tjera të procesit të pranimit.

Për Lajçak, ky proces ka si element thelbësor besueshmërinë që shteti aspirant apo kandidat duhet të japë në përmbushjen e kritereve, dhe vetëm atëherë BE merr vendimin për të ecur një hap me tej. Ai nga ana tjetër sugjeron që Sllovakia të merret si një shembull i mirë i suksesit të zgjerimit dhe se si ky proces funksionon, duke dëshmuar rezultatet pozitive që ka një aksion i qartë dhe perspektiva europiane duke mbështetur vendin aspirant në realizimin e reformave. Kështu që Sllovakia, duhet të merret si një model inkurajues për vendet e Ballkanit Perëndimor, që me vullnet dhe përpjekje edhe ata mund t’ia dalin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë