Kryesia Partisë Socialiste ka përfunduar pas pesë orë mbledhjeje, duke përcaktuar mënyrën se si do të veprohet me organizimin e strukturave të kësaj partie, pas zgjedhjeve lokale dhe pas faktit se tashmë edhe pushteti vendor, të 61 bashkitë janë në administrimin e të majtëve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryesocialisti Edi Rama doli përpara medias për të dhënë edhe arsyet se pse mblodhi këtë forum të lartë brenda një afati të shkurtër kohor, dy ditor. Kryesocialisti Edi Rama ndërkaq u shpreh i gatshëm që të ulet në tavolinë edhe me opozitën jo parlamentare, duke u treguar i kujdesshëm që të mos ta etiketojë si “opozita rrugore”.
“Ne jemi të disponueshëm për t’u ulur në tryezë për të diskutuar për sfidat e vendit dhe çka është e rëndësishme në funksion të rregullave të lojës. Për sa i përket Kushtetutës, ligjshmërisë nga njëra anë dhe mandatit tonë qeverisës sonë nuk janë çështje që i kemi në diskutim me askënd tjetër. Jemi një shumicë që kemi detyrim që të forcojmë kulturën e ligjit dhe ligjshmërinë në çdo aspekt dhe që kemi detyrim që të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë deri në 2021”, theksoi Rama. Për liderin e mazhorancës do të jetë e dobishme të diskutohet edhe për reformën zgjedhore. Për PS-në nuk ka mundësi që të diskutohet për zgjedhje të parakohshme.
Rama u pyet nga gazetarët edhe për apelin e lëshuar së fundmi nga presidenti Meta që zgjedhjet të mbahen më 13 tetor.
“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Kemi ngritur edhe tre këshilla vendore, dhe ky është fokusi jonë ne e kemi sfidën me problemet e vendit e të njerëzve jo me problemet e brendshme të opozitës apo të presidencës. 13 tetori është njësoj si 12 apo 14 tetori e 15 shtatori, 22 dhjetori, s’njoh një 13 tetor ndryshe, ndoshta i bie e diel po është si gjthë të tjerat”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti ndërkaq dha garancinë edhe një herë se bashkitë e djathtë që tashmë do të jenë në administrimin e kryebashkiakëve të majtë nuk do të spastrime në administratë.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se në mbledhjen e gjatë të Kryesisë pati një ballafaqim të socialistëve me të gjitha elementët që janë vënë në tavolinë dhe me përgjegjësitë e tyre për të vijuar këtë proces, deri në zgjedhjet e qershorit 2021.
“Ndryshe nga çfarë shpesh thuhet gabimisht, ne diskutojmë hapur dhe jemi ballafaquar me të gjithë elementët që kemi vënë në tavolinë për të adresuar dhe me të gjitha përgjegjësitë që secili ka për të vijuar këtë proces, që kemi luksin ta zhvillojmë edhe në një kohë përpara vitit të ri politik, shtator. Kemi pasur një diskutim të gjatë me pjesëmarrjen e të gjithëve për të vijuar procesin e brendshëm, sepse kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor pavarësisht fitores është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar dhe të përpiqemi së bashku të lexojmë votën, të lexojmë pritshmërinë, të lexojmë atë që është baza e formësimit të një qasjeje strategjike elektorati. Diskutimi është lidhur me ndërtimin e strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër, afatgjatë zgjedhjet e qershorit të 2021, si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve në PS, kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe administrimit të gjithë këtyre territoreve, që tani janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e vendit”, deklaroi Rama.
Ndërsa shpjegoi se do të funksionojnë rajonet, duke zbuluar se janë ngritur tre këshilla ku bëjnë pjesë kryetarët e bashkive, deputetët dhe koordinatorët.
Në shtator, Partia Socialiste do t’i nënshtrohet zgjedhjeve në strukturat e saj nga Asambleja, organizatat, forumet, përmes Kongresit të ri zgjedhor. Për këtë Rama, Ruçi dhe Balla janë caktuar si koordinatorë kryesorë për 12 qarqet e Shqipërisë. Kryesocialisti ka marrë qarqet e veriut si Shkodra, Lezha dhe Kukësi. Numri dy i PS-së, Taulant Balla do të marrë nën koordinim katër qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Korçës. Ndërkohë është vendosur që kreu i Kuvendit dhe një nga figurat më të vjetra në PS, Gramoz Ruçi të shërbejë si koordinator për Fierin, Beratin, Gjirokastrën dhe Vlorën. Në takim janë zhvilluar diskutime për organizimin e strukturave të Partisë Socialiste në këto qarqe. Ndërsa është vendosur që mbledhja të mbahet me 23 korrik e jo me 22 korrik, kjo shtyrje u bë për shkak të agjendës së ngjeshur që kanë deputetët socialistë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




