Politike

Kryesia e PD, zbardhet urdhri i Bashës për protestën

Protesta e 16 marsit ka qenë në fokusin e diskutimit të kryesisë së PD-së në mbledhjen e sotme. Kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë porosinë me anëtarët e kryesisë, por edhe më vonë me kreret e degëve nëpër rrethe që të mblidhen sa më shumë protestues më 16 mars përpara Kryeministrisë.
Mësohet se Basha ka kërkuar që numri i protestuesve të jetë më i lartë se ai i 16 shkurtit. Ai e ka cilësuar largimin e Ramës nga qeveria si një emergjencë kombëtare.
“Largimi i Ramës çështje e emergjencës kombëtare, në vend nuk ka normalitet, për Ramën asnjë minutë qetësi. Shqipëri me Parlament monoparti dhe kriminelë dhe qeveri të kapur me krimin, ne nuk pranojmë.”-ka thënë Basha.
Opozita ka shpallur aksionin e radhës protestës e 16 marsit. Për këtë kryedemokrati Basha ka miratuar një udhëzim të posaçëm në të cilin kërkohet që të mbahet përgjegjësi për strukturat e PD-së në mos raportim e saktë apo në mos mbledhjen e personave të kërkuar.
Sipas këtij udhëzimi, kryetari i Degës dhe të deleguarit e Kryesisë së PDSH-së, janë përgjegjës për organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve dhe anëtarëve të partisë, për pjesëmarrjen e tyre në protestën e madhe të datës 16 mars 2019, ora 11.00, në Tiranë.
“Kryetari i Degës njofton të Deleguarin për orën dhe datën e mbledhjes së Kryesisë. Kryesia e Degës dhe të deleguarit, diskutojnë: Përgatitja për pjesëmarrje në protestën e madhe më 16 mars; Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve të tjerë në protestën në Tiranë, apo në protestat lokale; Ndarja e të Deleguarve dhe anëtarëve të Kryesisë së Degës në zonë; Për këtë qëllim hartohet dhe ndiqet një kalendar i qartë pune dhe takimesh; Parashikimi i pjesëmarrjes në nivel grupseksioni dhe në nivel Dege, si dhe të merren masa për evidentimin e pjesëmarrjes me qëllim vlerësimin e kontributeve. Raportimi i parë më datë 10 mars 2019 brenda orës 17.00. Në datë 14.03.2019 brenda orës 19.00, bëhet raportimi final për pjesëmarrjen dhe nevojat objektive për ndihmë nga degët”, thuhet në udhëzim.
Pëveç kësaj, liderët e PD-së dhe të LSI-së po organizojmë takimet nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim sensibilizimin e njerëzve për të pasur pjesëmarrje masive më 16 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë