Interviste

Kryeshkencëtari kinez: Mospërdorimi i maskës, gabim i madh

Mediat e huaja e kanë pasur të pamundur të kontaktonin deri tani me shkencëtarët kinezë që nga koha kur shpërtheu sëmundja e koronavirusit në këtë vend. Shumë prej tyre kanë qenë të mbingarkuar duke u përpjekur për të kuptuar epideminë dhe për ta luftuar atë, ndaj përgjigjet ndaj kërkesave të mediave, veçanërisht nga gazetarët jashtë Kinës, nuk ka qenë një prioritet për ta.
Revista “Shkenca” (sciencemag.org) është përpjekur të intervistojë George Gao, drejtorin e përgjithshëm të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), për 2 muaj por vetëm e javën e kaluar ai u përgjigj.

George Gao

Gao mbikëqyr 2000 punonjës dhe është një studiues shumë aktiv. Në janar, ai ishte pjesë e një ekipi që bëri izolimin dhe nxori sekuencën e parë të sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes 2 (SARS-CoV-2), virusi që shkakton Covid-19. Ai është bashkëautor i dy punimeve të lexuara gjerësisht, të botuara në “The New England Journal of Medicine” (NEJM) dhe ka botuar tre letra të tjera mbi COVID-19 në “The Lancet”.
Ekipi i tij gjithashtu siguroi të dhëna të rëndësishme për një komision të përbashkët midis studiuesve kinezë dhe një ekipi të shkencëtarëve ndërkombëtarë, të drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), nga ku doli edhe një raport me vlera historike për të kuptuar se si duhet t’i përgjigjemi pandemisë.
I shkolluar më parë në fillim si veteriner, Gao më vonë fitoi një doktoraturë për biokimi në Universitetin e Oksfordit dhe u specializua për imunologji dhe virologji në Universitetin e Harvardit.
Gao iu përgjigj kështu pyetjeve të revistës së mirënjohur ndërkombtare “Shkenca”:

Çfarë mund të mësojnë vendet e tjera nga mënyra se si Kina luftoi Covid-19?
“Distanca sociale është strategjia thelbësore për kontrollin e çdo sëmundjeje infektive, veçanërisht nëse ato janë infeksione të frymëmarrjes. Së pari, ne përdorëm “strategji jo farmaceutike”, sepse nuk kemi ndonjë frenues ose ilaç specifik dhe nuk kemi vaksina. Së dyti, duhet të siguroheni që të izoloni çdo rast. Së treti, kontaktet e ngushta duhet të jenë në karantinë: Ne harxhojmë shumë kohë në përpjekje për të gjetur të gjitha këto kontakte të ngushta dhe për t'u siguruar që ato janë në karantinë dhe izolim. Së katërti, pezulloni tubimet publike. Së pesti, kufizoni lëvizjen, e cila është arsyeja pse ju keni një kolaps sanitar”.
Karantina në Kinë filloi në 23 Janar në Wuhan dhe u zgjerua në qytetet fqinje në provincën Hubei. Provinca të tjera në Kinë kishin izolim me më pak kufizime. Si ishte e koordinuar e gjithë kjo dhe sa e rëndësishme ishte puna e mbikëqyrjes për të kontrolluar se kto masa po zbatoheshin?
“Duhet të keni mirëkuptim dhe konsensus. Për këtë ju duhet një udhëheqje shumë e fortë, në nivelin lokal dhe kombëtar. Ju duhet një mbikëqyrës dhe koordinator që punon me publikun shumë ngushtë. Mbikëqyrësit duhet të dinë se kush janë kontaktet e afërta, cilat janë rastet e dyshuara. Mbikëqyrësit në komunitet duhet të jenë shumë vigjilentë. Ata janë thelbësorë”.
Çfarë gabimesh po bëjnë vendet e tjera?
“Gabimi i madh në SHBA dhe Evropë, për mendimin tim, është se njerëzit nuk po mbajnë maska. Ky virus transmetohet nga spërklat dhe kontakti i ngushtë. Spërklat luajnë një rol shumë të rëndësishëm - duhet të vendosni një maskë, sepse kur flisni, gjithmonë ka spërkla që dalin nga goja. Shumë njerëz kanë infeksione asimptomatike ose presimptomatike. Nëse ata janë të pajisur me maskë për fytyrën, ajo mund të parandalojë spërklat që mbartin virusin të shpërdahen dhe të infektojnë të tjerët”.
Po në lidhje me masat e tjera të kontrollit? Kina ka përdorur në mënyrë agreseive termometrat në hyrje të dyqaneve, ndërtesave dhe stacioneve të transportit publik, për shembull…
“Po. Kudo ku hyni brenda në Kinë, ka termometra. Ju duhet të përpiqeni të matni temperaturën e njerëzve sa më shpesh që të keni mundësi që të siguroheni se kushdo që ka ethe të lartë të mos hyjë në mjedise publike.
Dhe një pyetje me të vërtetë e rëndësishme është se sa i qëndrueshëm është ky virus në mjedis. Për shkak se është një virus i mbështjellë, njerëzit mendojnë se është i brishtë dhe veçanërisht i ndjeshëm ndaj temperaturës së sipërfaqes ose lagështirës. Por nga rezultatet e SHBA dhe studimet kineze, duket se është shumë rezistent ndaj shkatërrimit në disa sipërfaqe. Mund të jetë në gjendje të mbijetojë në shumë ambiente. Duhet të kemi përgjigje të bazuara në shkencë këtu”.
Njerëzit që rezultuan pozitivë në Wuhan, por kishin vetëm sëmundje të lehtë, dërgoheshin në izolim në ambiente të mëdha dhe nuk lejoheshin të kishin vizita nga familja. A është kjo diçka që vendet e tjera duhet ta marrin në konsideratë?
“Njerëzit e infektuar duhet të izolohen. Kjo duhet të ndodhë kudo. Mund të kontrolloni Covid-19 vetëm nëse mund të hiqni burimin e infeksionit. Kjo është arsyeja pse kemi ndërtuar spitale me modul dhe i kemi shndërruar stadiumet në spitale”.
Ka shumë pikëpyetje në lidhje me origjinën e shpërthimit në Kinë. Studiuesit kinezë kanë raportuar që çështja më e hershme daton nga 1 dhjetori 2019. Çfarë mendoni për raportin në “South Morning Post” që thotë se të dhënat nga qeveria kineze tregojnë se ka pasur raste në nëntor 2019, me rastin e parë në 17 nëntor?
“Nuk ka asnjë provë të fortë për të thënë që tashmë kemi grupe në nëntor. Ne po mundohemi të kuptojmë më mirë origjinën”.
Zyrtarët e shëndetit në Wuhan e lidhën çështjen e shpërthimit të Covid-19 me tregun e ushqimeve të detit në Huanan ndaj ai u mbyll më 1 janar. Supozimi ishte se një virus kishte ardhur tek njerëzit nga një kafshë e shitur dhe ndoshta e shpartalluar në treg. Por në letrën tuaj në NEJM, e cila përfshinte një vështrim retrospektiv për rastet, ju raportuat se katër nga pesë personat e infektuar më herët nuk kishin asnjë lidhje me këtë treg. A mendoni se tregu i ushqimeve të detit ishte një vend i origjinës, apo është një përqendrim faktorësh, por jo burimi origjinal?
“Kjo është një pyetje shumë e mirë. Ju jeni duke punuar si një detektiv. Që në fillim, të gjithë menduan se origjina ishte tregu. Tani, unë mendoj se tregu mund të jetë vendi fillestar, ose mund të jetë një vend ku virusi u përforcua. Kjo është një pyetje shkencore. Ekzistojnë të dyja mundësi”.
Kina u kritikua gjithashtu për mos ndarjen e sekuencës virale menjëherë. Historia për një koronavirus të ri doli në “Wall Street Journal” në 8 janar; nuk ka ardhur nga shkencëtarët e qeverisë kineze. Pse jo?
“Ky ishte një supozim shumë i mirë nga “Wall Street Journal”. OBSH u informua për sekuencën dhe unë mendoj se koha midis paraqitjes së artikullit dhe ndarjes zyrtare të sekuencës ishte ndoshta disa orë. Unë nuk mendoj se ka më shumë se një ditë”.
Por një bazë e të dhënave publike e sekuencave virale më vonë tregoi se e para u paraqit nga studiuesit kinezë më 5 janar. Pra, kishte të paktën 3 ditë që ju duhet të keni ditur se kishte një koronavirus të ri. Nuk do të ndryshojë rrjedhën e epidemisë tani, por për të qenë e sinqertë, diçka ndodhi në lidhje me raportimin e sekuencës publikisht.
“Unë nuk mendoj kështu. Ne i ndamë informacionet me kolegët shkencorë menjëherë, por kjo përfshin shëndetin publik dhe ne duhej të prisnim që politikëbërësit ta shpallnin publikisht. Ju nuk dëshironi që publiku të frikësohet, apo jo? Dhe askush në asnjë vend nuk mund të parashikonte që virusi të shkaktonte një pandemi. Kjo është pandemia e parë e “noninfluenza” ndonjëherë”.

George Gao

Nuk ishte deri në 20 janar që shkencëtarët kinezë thanë zyrtarisht se kishte prova të qarta të transmetimit nga njeriu në njeri. Pse mendoni se epidemiologët në Kinë kishin kaq shumë vështirësi të shihnin atë që po ndodhte?
“Të dhëna të hollësishme epidemiologjike nuk ishin ende të disponueshme. Dhe ne u përballëm me një virus shumë të çmendur dhe të fshehur që në fillim. E njëjta gjë është e vërtetë në Itali, gjetkë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara: Që nga fillimi shkencëtarët, të gjithë menduan: "Epo, është thjesht një virus”.
A jemi të saktë kur themi tani se përhapja e virusit në Kinë është zvogëluar dhe rastet e reja të konfirmuara janë kryesisht njerëz që hyjnë në vend?
“Po. Për momentin, ne nuk kemi ndonjë transmetim lokal, por problemi për Kinën tani janë rastet e importuara. Kështu që shumë udhëtarë të infektuar po vijnë në Kinë”.
Por çfarë do të ndodhë kur Kina të kthehet në normalitet? A mendoni se mjaft njerëz janë infektuar në mënyrë që “imuniteti i tufës” të mbajë virusin të fshehur për shumë kohë?
“Ne nuk kemi ende imunitet të tufës. Por ne jemi duke pritur për rezultate më përfundimtare nga testet e antitrupave që mund të na tregojnë se sa njerëz me të vërtetë janë infektuar”.

Pra, cila është strategjia tani? Po bleni kohë për të gjetur ilaçe efektive?
“Po, shkencëtarët tanë po punojnë si për vaksinat ashtu edhe me ilaçet”.
Shumë shkencëtarë e konsiderojnë remdesivirin si ilaçin më premtues që tani po testohet. Kur mendoni se provat klinike në Kinë të ilaçeve do të japin të dhëna?
“Në prill”.
A kanë zhvilluar shkencëtarët kinezë modele të kafshëve që mendoni se janë mjaft të forta për të studiuar patogjenezën dhe për të provuar ilaçet dhe vaksinat?
“Për momentin, ne jemi duke përdorur të dyja speciet, majmunët dhe minjtë transgjenik që kanë ACE2, receptorin njerëzor për virusin. Modeli i miut është përdorur gjerësisht në Kinë për vlerësimin e ilaçeve dhe vaksinave dhe unë mendoj se ka së paku disa dokumente që dalin së shpejti në lidhje me modelet e majmunëve. Mund t'ju them se modeli ynë i majmunëve funksionon”.
Si mendoni kur Presidenti Donald Trump i referohet koronavirusit të ri si "virusi i Kinës" ose "virusi kinez"?
“Patjetër që nuk është mirë ta quajmë atë “virus kinezi”. Virusi i përket Tokës. Virusi është armiku ynë i përbashkët - jo armiku i ndonjë personi ose i një vendi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë