Politike

Kryeprokurori Olsian Çela prezanton në Kuvend raportin për vitin 2023: Probleme me vakancat dhe dosjet e mbartura

Gazeta Si- Kryeprokurori Olsian Çela ka deklaruar se edhe përgjatë vitit 2023, në institucionin që drejton, krijimi i vakancave ka shkaktuar problematika.

Gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me punën e këtij institucioni në vitin 2023, Çela u shpreh se vakancat, të përkohshme dhe të përhershme, jani deri në 38% të prokurorëve.

“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38% të prokurorëve, shoqëruar edhe me ngarkesën e shtuar nga dosjet e mbartura në vitet paraardhëse”.

Megjithë sipas tij, “problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, theksoi Çela gjatë fjalës së tij.

Në lidhje me skandalin e mikrokredive, ai tha se po hetohen persona, ndërsa janë dhënë edhe masa sigurie.

“Është një fenomen shqetësues. Janë disa kallëzime, ka vendimmarrje të prokurorëve që lidhen me to. Njëra është bërë publike ka pasur veprime të prokurorisë ku ka persona që janë duke hetuar ka dhe masa sigurie. Mbetet të shikohet si do vazhdohet me hetimin dhe gjykimin. Por secili rast ka prokuror që po heton çështjet ka dhe gjykatë që do bëjë vlerësimin. Ajo që i është kërkuar prokurorive, është nxitja e thellimit të hetimeve në të gjitha drejtimet aq sa i lejohet prokurorit të përgjithshëm”, tha Çela.

Çela u ndal edhe tek pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023.

“Rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro”, tha Çela.

Sipas kryeprokurorit, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.

Ai shtoi se “gjatë vitit 2023, janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4% në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale. Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37%; Dibër 2,31%,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë