Drejtësia

Kryeprokurori Olsian Çela prezanton në KLP raportin për 2024: Numër i ulët prokurorësh dhe fluks çështjesh

Gazeta Si – Në bilancin vjetor të vitit 2024 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryeprokurori Olsian Çela renditi jo vetëm shifrat e organit kryesor të akuzës, por edhe disa problematika.

Para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë,  Çela ngriti shqetësimin për numrin e ulët të prokurorëve, ndërsa nga ana tjetër theksoi se përballen me ngarkesë dhe fluks të lartë çështjesh.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se koordinimi institucional me SPAK dhe policinë dhanë rezultat në zbatimin e drejtësisë penale.

Ndalur në shifra, Çela tha se numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka qenë vetëm 209, që përbën 65% të strukturës organike prej 321 vendesh, pra 112 prokurorë më pak.

Në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë në 2024, kanë kanë qenë vetëm 185 prokurorë, ose 98 më pak; në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kanë qenë vetëm 11 nga 20 të parashikuar, dhe në Prokurorinë e Përgjithshme gjithashtu 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë nga 18 të parashikuar.

“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.

Çeka deklaroi se vetëm në vitin 2024, se rreth 47.500 procedime penale janë ndjekur nga prokurorët e juridiksionit të përgjthshëm.

Sipas këtij raporti, në vitin 2024 u rritën me 5% çështjet e përfunduara të prokurorëve krahasuar me vitin 2023.

Nga këto, 36.72% janë për gjykim, 33.89% janë pushuar, 26.91% u pezulluan dhe 2.48% u transferuan në prokuroritë kompetente.

“Janë dërguar në gjykatë 9.030 çështje me akuzë ndaj 10.759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023, rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë”.

Sipas tij, “në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10.001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm”.

Gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Çela tha se një rritje të numrit të procedimeve penale në krahasim me vitin 2023.

“Janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47.501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023”.

Gjatë vitit 2024, theksoi kryeprokurori, “janë përfunduar 24591 çështje që përbën rritje prej 5 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2023, prej të cilave: 36,72 % janë dërguar për gjykim, 33,89 % janë pushuar, 26,91 % janë pezulluar dhe 2,48 % janë transferuar në prokuroritë kompetente”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë